E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Publikisht”, drejtësia amerikane, gjyqi ndaj Trump, çështja McGonigal

Drejtësia amerikane ka qenë në qendër të emisionit “Publikisht” në RTSH. Për të debatuar rreth kësaj çështje të ftuar në studio ka qenë analisti dhe politikani, Preç Zogaj, avokati Genc Gjokutaj, si dhe analistët Mentor Kikia dhe Plator Nesturi. Për të diskutuar rreth kësaj teme të ftuarit në emision janë ndalur në zhvillimet më të fundit, lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish- Presidentit, Donald Trump, por edhe rreth çështjes, Charles McGonigal.

Në komentin e tij, Zogaj vuri theksin tek fakti se akuzat ndaj Trump, për aq sa u dëgjua, ishin shokuese. Sipas tij, akuza se ka shkuar me një aktore filmash erotikë nuk e penalizon, por blerja e heshtjes së saj përbën vepër penale në shtetin e New York.

“Kjo e inkriminon. Ka dhe akuza për sulmin ndaj Kongresit, si dhe marrjen e dokumenteve sekrete. SHBA e ka sanksionuar ndarjen e pushtetit. Edhe një prokuror i një disktrikti, kur konstaton se ka shkelje, formulon akuza. Trump po sjell një shembull negativ në linçimin e prokurorit për të cilën ju kërkua nga gjyqtari që të heshtë e të mos intimidoj prokurorin. S‘po flas për fajësi. Atë e përcakton gjykata“- theksoi Zogaj.  

Sipas tij, kundërshtarët i shfrytëzojnë situata të tilla, por ta zhvillosh gjyqin ndaj Trump si proces politik në SHBA, është e pamundur.

“Në New York pagesat e fshehta përbëjnë vepër penale. Politikani ka raport tjetër me publikun, politikën dhe me drejtësinë. Fakti flet më shumë se dënimi. Faktet nuk janë që sajohen në SHBA. Ndërsa te ne problem është se s‘ka hetim“- theksoi Zogaj.

Ndërsa sipas avokatit Gjokutaj, drejtësia amerikane me gjyqin ndaj Trump po dëshmon se ka luhatje. Sipas tij, ka prokuror që janë shkarkuar nga Sorosi.

„SHBA bën kujdes që të ruaj reputacionin e presidentit. Ka cedim në raport me drejtësinë, p.sh edhe për rastin McGonigal. Nuk është aplikuar arresti ndaj Trump. Sfondi është politik dhe është vështirë të mos besohet kjo, pasi janë çështje të vjetra. Kontrolli i banesave të Trump dhe Biden u bë për të treguar baraspeshim. Amerikës kanë filuar ti shihen krisje dhe dëshmon se aty ka një situatë të trazuar. Kjo që bëhet është presion politik‘- konstaton Gjokutaj.

Ndërsa analisti Kikia theksoi se gjyqi ndaj Trump është dëshmi e asaj se përse ne e kemi Amerikën pikë referimi.

“Një shkrim çoi në dorëheqjen e presidentit, një prokuror ngre akuza nga ndaj presidentit. Amerika po shkruan histori. Duhet pritur dhe parë ndikimi’- theksoi Kikia.

Nga ana tjetër analisti Nesturi nënvizoi se në SHBA është  e vështirë t’ia hedhësh kur është fjala për taksat, pasi çështjet mund të hapen edhe pse kanë kaluar shumë vite. “Në SHBA ka një shqetësim se cili do jetë ndikimi në zgjedhje. Vetë Trump është manipulator i opinionit publik. Gjithëshka është në zhvillim e sipër”- theksoi Nesturi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›