E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Rrjetet” në Vlorë, arrestohen dy të kërkuarit për mashtrim kompjuterik

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Policia e Vlorës finalizoi sot operacionin e koduar “Rrjetet”, në kuadër të të cilit u arrestuan dy shtetas të shumëkërkuar, të dyshuar për veprën penale të mashtrimit kompjuterik, si dhe një person tjetër për përkrahje të autorit të krimit.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale.

Gjatë operacionit, në zonën e Drimadhës, u kapën shtetasit G. P., 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të shpallur në kërkim nga Gjykata e Tiranës, ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Sipas Policisë, dy të arrestuarit dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha monetare nëpërmjet skemave mashtruese të call center-ave.

Gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.

Po ashtu, në momentin e arrestimit të tyre u vu në pranga në flagrancë edhe shtetasi R. R., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›