E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS përplasen në Kuvend për transparencën e zgjedhjeve

19/03/2010 Berisha: Parlamentin nuk mund ta kthejmë në Prokurori

Xhafaj: Nuk mund të ketë hetim parlamentar pa kutitë

Në përpjekje për të arritur një kompromis për zgjidhjen e ngërçit politik që ka përfshirë vendin, dy partitë kryesore gjatë seancës së djeshme parlamentare nuk bën gjë tjetër veç se iu larguan atij. Paritë politike më të vendosura se ndonjëherë qëndruan në pozicionet e tyre fillestare pa bërë asnjë lëshim. Mazhoranca e kryesuar nga Kryeministri vuri theksin tek ndarja e pushteteve dhe redaktimi i vendimeve të gjykatës, ndërsa opozita këmbënguli në hapjen e kutive si të vetmen element të kompromisit të tyre. Seanca maratonë përveç çështjes së zgjedhjeve dhe hetimit të tyre, rihapi diskutimet edhe për zgjedhjet e vitit ’97, diskutim i cili shkaktoi edhe replika mes palëve.

Debatet

Në rend të seancës së djeshme ligjvënësit ranë dakord të diskutojnë vetëm nismat ligjore të propozuara nga Partia Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor që do të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Kryeministri Berisha që në fillim të saj iu përgjigj pozitivisht kërkesës së opozitës për hapjen e kutive, vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Numri një i qeverisë ofroi kompromisin e tij për ngritjen e komisionit hetimor me opozitën shumicë anëtarësh, me qëllim realizimin e transparencës parlamentare. “Síkundër mbetemi të vendosur për një transparencë totale, respektim të plotë të Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të shtetit ligjor. Nëse mendojmë se ky Parlament mund të marrë të gjitha atributet, të gjitha pushtetet kjo do të ishte një hata e madhe për këtë vend. Në një kohë kur unë ofroj rrugën e transparencës shoh se kjo rrugë nuk kërkohet, por shoh që përdoret dhe pas saj fshihet një qëllim tjetër që s’ka të bëjë me këtë mazhorancë”,- tha Berisha. Socialistët deklaruan se vendi është në krizë, por jo për liderin e PD-së. Shefi i qeverisë tha se në krizë është vetë Partia Socialiste. “Në krizë është partia që bojkoton Parlamentin. Në krizë është PS që kërkon të dhunohet Kushtetuta, kërkon me çdo kusht që të dhunohet vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, - vijoi ai. Referuar deklaratave të deputetëve socialistë, të cilët 28 qershorin e quajtën masakrën e krimit elektoral, shefi i ekzekutivit kërkoi që seanca të mos kthehej në një gjyq për komisionerët. “Zgjedhjet kanë pasur gardianët e vet të ligjit, përfaqësuesit tuaj e tonët. Kemi ardhur të dialogojmë, por nëse ju vërsuleni me krim elektoral e kriminelë elektoralë bëni një gabim shumë të rëndë”, - tha Berisha.

Prezantimi

Seancën e çeli eksperti për çështjet zgjedhore në PS, Fatmir Xhafaj, i cili deklaroi vendosmërinë e PS-së për të hetuar procesin e 28 qershorit. “Nuk mund të ketë hetim parlamentar pa kutitë. Gjithçka tjetër do të ishte dështim i radhës. Vendimi për mos hapje të kutive do të mund të ndalohej prej ndonjë norme juridike. Por nuk ka asnjë normë apo vendim gjyqësor të urdhërojë një ndalim të tillë. Ky komision parlamentar nuk synon të marrë të pandehur askënd apo të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, por të kryejë veprimet procedurale dhe eliminimin e problemeve në zgjedhjet e ardhshme”, tha Xhafaj në fjalën e tij. Menjëherë pas tij në emër të mazhorancës deputeti i PD-së, Viktor Gumi, tha që “Kuvendi nuk mund të kryejë hetime paralele, nëse një fakt është hetuar ose është në proces hetimi nga Prokuroria. Hetimi është i kufizuar nga disa parime dhe detyrime kushtetuese”.

Deputeti i Beratit, Braçe

“Nuk kemi ardhur për pazar me Berishën”

Përmes disa lojërave fjalësh mes shqipes dhe anglishtes për fjalën ujdi dhe sinonimeve të saj, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe i kujtoi Kryeministrit Berisha se forca politike që ai përfaqëson nuk ndodhej në Parlament për të bërë pazare, por për të vendosur standardet zgjedhore. Ai e akuzoi kreun e qeverisë se po mban peng zgjidhjen e krizën politike, madje edhe për vjedhje ë votave. “Do t’i them Kryeministrit se zgjidhja mbahet peng nga ai, çdo gjë po buron nga ai. Përdoret shpesh fjala ofertë, unë besoj se termi ofertë është term pazari, që i ka leverdisur sa herë në muajin mars Kryeministrit, kur ka qenë keq edhe shumë keq. Ne nuk kemi ardhur të bëjmë pazar, kemi ardhur të vendosim një standard ndërkombëtar, atë të hapjes së kutive. Berisha është i zoti sepse i vjedh zgjedhjet”, - tha ai. Braçe i kërkoi Kryeministrit të ndalë gjuhën e fyerjeve, pasi opozita ishte në Parlament për të gjetur zgjidhje.

“Kemi ardhur këtu për të mos pranuar të na fyeni dhe të mos na kërcënoni. Kemi ardhur për të kërkuar një zgjidhje ligjore dhe kushtetuese. Do përdorim të gjitha forcat që kemi në dorë të gjitha forcat që njeh sistemi ligjor. Po e merrni fjalën tonë dhe veçanërisht Kryeministri po e përkthen, po e bën plumb për të na kërcënuar ne”, - vijoi ai.

Sokol Olldashi

ǒ donte Klosi nga Mallakastra dhe miku i tij nga Shijaku në burgjet ditën e zgjedhjeve? Sigurisht jo për të takuar mikun e tyre të përbashkët, por për të përdorur ata të burgosur në zgjedhje.

Blendi Klosi

Isha në burg sigurisht, por jo ditën e zgjedhjeve muaj pas ditëve të zgjedhjeve. Ndërsa ti i takon jashtë të burgosurit, i përdore për zgjedhje, i fute në vëllavrasje.

Lefter Maliqi

Sa për dijeni “deal” do të thotë marrëveshje dhe jo pazar. Ky i vogli (Braçe) kishte frikë që ia kishte futur ai Erion tjetër, 99-shi. I vogli kishte shpresuar sipas pazareve postin e ministrit të Transporteve. A krahasohet me Olldashin? Unë u konsultova me disa deputetë të mazhorancës dhe mora miratimin e tyre, fola edhe me disa deputetë të PS-së, edhe ata ma pranuan idenë, vetëm me kryetarin e PD-së nuk kam folur: unë jam dakord ta hapim një kuti, ama vetëm një, atë me mendjen e Edi Ramës brenda dhe ta djegim pastaj.

Kryeministri replikon me ish-kryeministrin e ’97-s, Fino

Berisha: Të bëra dhëndër të demokracisë

Kryeministri Sali Berisha iu rikthye ngjarjeve të 1997-s gjatë seancës së djeshme në përgjigje të fjalimit që mbajti socialisti Bashkim Fino, ish-kryeministër në kohën kur Berisha ishte President. “Z. Fino kohën më të lavdishme e ke pas me z. Berisha president. I dashur Baçi kur u sulmua Presidenca, morën atë që meritonin, por kur u sulmua Kryeministria nuk të lashë të ikje. Ka nga ana që kanë ikur me rroba grash jashtë shtetit, kurse ty të vura kurorë dhe të bëra dhëndër të demokracisë. Nëse do të godasësh me urrejtje dhe fanatizëm nuk më impresionon dot. Janë klane mafioze, grupe që i kanë duart të lyera me gjak, të zhytura në krimin ekonomik, ata që nuk durojnë dot demokracinë, prandaj vazhdon të ketë urrejtje dhe fanatizëm. Po ty s’të beson më as grupi yt”, - i tha ai Finos. Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë deklaroi se PS pushtetin nuk e kishte marrë vetë, por ua kishte dhuruar ai. “Mos u tregoni budallenj, por pushtetin ua dhashë unë në vitin ’97. Ishte zgjidhje politike. Po u ngeli mendja tek ’97-a dilni e provojeni sërish që nesër. Unë jam sot këtu sepse qytetarët e kuptojnë që shteti nuk u kishte prekur asnjë qindarkë”, - tha Kryeministri.

Reagimi i Finos

“Në këto 20 vjet tranzicioni, ai është politikani që ngjall edhe urrejtjen e madhe kudo në Shqipëri dhe kjo është e keqja më e madhe e një vendi të kthyer në arenë përplasëse mes shqiptarëve”. Kjo ishte fraza e deputetit të PS-së, Bashkim Fino, që solli edhe reagimin e Kryeministrit. Por, sipas deputetit të selisë rozë, u keqkuptua. “Ato që the nga fillimi deri në fund ishin shpifje. Nuk të kërkon njëri pushtetin. Në ’97-n shtetin e shkërmoqet ju për 24 orë. Ndërsa unë ju mbrojta kur qaje me lot në sup të Ngjelës dhe nga ministrat e tu Pollo dhe Imani etj.”, - replikoi Fino.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›