E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët dhe punonjës të pastrim-gjelbërimit pa rroga

19/03/2010 Sherri mes Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak

PATOS- Prej 2 muajsh shtresat në nevojë në qytetin naftëtar të Patosit nuk kanë marrë lekët. Konfliktualiteti institucional mes Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak po rëndon mbi shtresën më të goditur të shoqërisë. Sipas invalidëve dhe qytetarëve me ndihmë ekonomike, ata nuk duan të dinë për emrat që ikin dhe ata që vijnë në krye të Këshillit të Bashkisë. As për fijet e fshehta dhe interesat që lidhin kryebashkiakun Meli me drejtuesit e organit vendimmarrës. Ata kërkojnë që të marrin në kohë fondin e lekëve të akorduar nga qeveria. “Ne nuk duam t’ia dimë se kush është në krye të Këshillit Bashkiak të Patosit, Bardhi apo ndonjë tjetër”,-ka thënë A. K. punonjës i pastrim-gjelbërimit. Ne kemi 2 muaj pa marrë sërish pagat. Kjo paga jonë u bë histori. Fëmijët duan bukë dhe ne punojmë çdo ditë, por nuk paguhemi për punën që kryejmë”. Edhe invalidët e qytetit të Patosit pohojnë se grindjet dhe sherret politike të Këshillit Bashkiak të Patosit kanë ndikuar në mosmarrjen e pagesës së tyre. “Kemi 2 muaj pa marrë asnjë kokërr leku”,-thotë një grua e revoltuar. “Unë kam pensionin e djalit invalid dhe të vjehrrës sime. Me këto mbajmë frymën vet i 5 se burri dhe unë jemi pa punë. Tani edhe invaliditetin nuk po e marrim. Me se të jetojmë, blejmë ilaçet, apo të paguajmë dritat”, përfundoi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›