E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD feston sot pavarësinë dhe çlirimin

Drejtuesit e lartë të qeverisë kanë nderuar sot ditën e pavarësisë dhe të çlirimit. Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Si çdo vit, drejtuesit e së djathtës festojnë në një datë pavarësinë dhe çlirimin ndryshe nga e majta e cila i feston ato në ditë të ndryshme. Në prononcimin për mediat pas ceremonisë, Berisha u shpreh se sot është dita e nderimit më të mëdha, respektit dhe mirënjohjes për dëshmorët.

Pavarësisa është akti më madhor në historinë tonë kombëtare. Akt që bëri të mundur që shqiptarët sot të jenë të tillë. Pavarësia ishte rezultat i luftërave çnjerëzore. I kryengritjeve të mëdha 1908, 1912 në Kosovë që gjunjëzuan perandorinë më të madhe në Evropë. Nderojmë themeluesin e saj, plakun e urtë Ismail Qemali, u shpreh kryeministri.

Berisha më tej duke theksuar se ky vit deri në festimin e 100 vjetorit të pavarësisë do të jetë një vit festiv, kujtoi se sot është edhe dita e çlirimit të vendit.

Sot nderojmë një datë tjetër të Shqipërisë, ditën e çlirimit. Lufta nacional-çlirimtare përbën një faqe të ndritur, ata burra të thinjur që janë sot bashkë me ne mbushën fushat dhe kodrat e Shqipërisë, rrokën armën dhe u përballën me armikun më të egër. E renditën Shqipërinë në anën e duhur të historisë botërore, tha Berisha.

Në këtë ceremoni mungoi Presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili sot gjendet në Vlorë ku do të jetë i pranishëm në ceremoninë e 99-vjetorit të pavarësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›