E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, gjyq me dëshmitarë për anëtarët e gjykatave

Ngrihet grup pune. Ndryshime për seancat dëgjimore. Kandidatët? Ndoshta me votim të hapur

Mazhoranca vendosi dje të “hetojë” në mënyrë më të plotë dhe transparente kandidaturat e institucioneve kushtetuese, për të shoshitur çdo qëndrim, i cili i konsideron të përcipta seancat dëgjimore të organizuara nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Vendimi për t’u dhënë seancave dëgjimore formën e një “seance gjyqësore” u mor në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Burimet brenda grupit bëjnë të ditur për “Shqip” se drafti me ndryshimet e reja në procedurat e seancave dëgjimore të Komisionit të Ligjeve ka nisur të hartohet nga një pjesë e deputetëve të komisionit parlamentar të ligjeve. Kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të grupit, u ka kërkuar deputetëve të Komisionit të Ligjeve që të parashikonin në draftin e tyre krijimin e mundësive për të pasur një seancë dëgjimore sa më të plotë me anëtarët e institucioneve kushtetuese dhe kryesisht kandidaturat e reja për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Në këtë kuadër, Berisha ka theksuar në grup se ishte e nevojshme që seanca dëgjimore me kandidaturat të zgjaste më shumë në kohë, duke mos përjashtuar mundësinë që dëgjimi i një kandidature të zgjaste edhe me ditë të tëra. Po kështu, në grupin parlamentar demokrat është folur edhe për rëndësinë që mund të kenë dëshmitarët përgjatë proceseve dëgjimore. Thirrja e dëshmitarëve pritet të jetë e vlefshme kryesisht gjatë seancave dëgjimore me kandidaturat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Kjo nisur edhe nga fakti se në mënyrë të qartë mazhoranca ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë kandidaturë, e cila ka qenë pjesë e vendimeve politike të dhëna gjatë kohës së komunizmit. Po kështu, nga diskutimet e djeshme të grupit parlamentar demokrat mësohet se pritet që edhe mënyra e votimit të kandidaturave të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese të bëhet me votim të hapur. Kjo formë votimi, që kërkon edhe amendimin e Rregullores së Kuvendit, është konsideruar nga deputetët e PD-së si një formë më transparente. Vendimi për të emëruar me votim të hapur anëtarët e institucioneve kushtetuese pritet të kryhet së shpejti nga mazhoranca, duke u nisur nga fakti se amendimi i rregullores së Kuvendit mund të bëhet me një shumicë të thjeshtë votash. Me kryerjen e këtyre ndryshimeve, pritet të shtyhet edhe me një javë seanca dëgjimore e tre dekreteve të Presidentit Bamir Topi për Gjykatën e Lartë. Kandidaturat e Vexhi Muçmataj, Sokol çomos dhe Medi Bicit do të paraqiten në Komisionin Parlamentar të Ligjeve vetëm pas hartimit të draftit të ri për seancat dëgjimore dhe do të jenë kandidaturat e para, në të cilat pritet të zbatohet kjo formë e re e marrjes në pyetje në komisionin parlamentar. Duket se shtysë për bërjen e këtyre ndryshimeve për seancat dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kanë qenë edhe kritikat që ka marrë mazhoranca për mospranimin që i bëri kandidaturës së Vangjel Kostës për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë debat u përfshi edhe ambasadori amerikan, Xhon Uithers, i cili ka theksuar se rrëzimi i kandidaturës së Kostës ka qenë i pashpjegueshëm dhe se në procesin e marrjes në pyetje nga ana e Komisionit të Ligjeve nuk ka pasur transparencë të plotë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›