PD kallëzim në SPAK për financimin e koncertit të Kanye West

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga kryetari Gazment Bardhi, depozitoi sot në SPAK kallëzimin penal kundër kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja për propozimin dhe miratimin e financimit të 4,2 milionë euro të një eventi privat të këngëtarit Kanye West.
Në kallëzimin penal të paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së theksohet se kuadri ligjor në fuqi u ngarkon autoriteteve shtetërore detyrimin për të administruar burimet financiare publike me eficiencë dhe efektivitet, në përputhje me parimet e qëndrueshmërisë së financave publike, barazisë përpara ligjit dhe konkurrencës së lirë.
PD thekson se mbi kërkesën e një operatori ekonomik privat, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka inicuar procedurat për miratimin e një akti normativ me synimin që këtij operatori t’i akordohej një fond prej 4,2 milionë eurosh nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit.
“Ky i fundit, referuar dispozitave ligjore të mësipërme, mund të përdoret vetëm për shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen, siç mund të jenë rastet e fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, tërmeteve, epidemive dhe emergjencave civile. Në rastin konkret, nuk jemi përpara asnjërit prej këtyre rasteve, pasi koncerti muzikor ishte një ngjarje e planifikuar në kohë, dhe operatori ekonomik privat kishte mundësi që të aplikonte më përpara për të përfituar një fond të caktuar për realizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me procedurat ligjore”, thekson PD.
Sipas tyre, “Rama dhe Gonxhja nga njëra anë kanë cenuar fondin rezervë, që përbën një grupeve kryesore të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, ashtu si edhe kanë cenuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të”, thekson PD, në kallëzimin e depozituar në SPAK.
/m.q/r.e/ /a.g/