E Diel, 1 Nëntor 2026

PD kërkon kohë për tu njohur me programin qeverisës, për të cilin prej dy muajsh akuzon Ramën

bashaaaaaEdhe pse prej dy muajsh Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, se nuk do ta zbatojë programin e vet qeverisës, sot ka bërë me dije se nuk e njeh atë.

Kryetari i saj, Lulzim Basha, ka kërkuar më shumë kohë, në mënyrë që deputetët e PD-së të njohin programin qeverisës dhe ka kërkuar shtyrjen e seancës së nesërme.

Basha akuzoi mazhorancën se nuk po tregohet transparente ndaj qytetarëve dhe opozitës, duke shtuar se kjo e fundit po përballet me një mendësi të vjetër komunikimi.

Ai i ka bërë thirrje kryetarit të ri të Kuvendit, Ilir Meta, që të mbajë fjalët që tha në Kuvend për transparencë dhe zbatim të rregullores.

Sot duhej të ishte një ditë e veçantë për qytetarët shqiptarë. Nis një legjislaturë e re dhe fillon konstituimi i Parlamentit, por akoma pa u përmbyllur procedura e konstituimit të Parlamentit, qytetarët shqiptarë dhe opozita e tyre në Parlament  po përballen me një mendësi të vjetër, me një kulturë të vjetër komunikimi, me një tentativë për të shkelur parimet e sapo premtuara të transparencës ndaj qytetarëve shqiptarë, të gjithëpërfshirjes në çdo debat, duke nisur me shkelmimin e praktikave parlamentare për debatin më fillestar, për gjenezën e çdo legjislature dhe çdo qeverisje që buron nga legjislatura, atë të konstituimit të qeverisë.

Kjo është mazhoranca, e cila në opozitë ka kërkuar dhe ka marrë deri në 10 ditë për çështje të tilla si takometrat, aparate matëse dhe që sot u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të dëgjuar një debat, një rrahje mendimesh midis të zgjedhurve të tyre, mbi çfarë ata propozojnë se do të jetë qeverisja e tyre dhe çfarë të zgjedhurit e opozitës shqiptare kanë për të pyetur dhe parashtruar në raport me këtë program.

Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, se si në mënyrë absurde ata që kanë marrë me javë të tëra për vendime shumë më të thjeshta, sot nuk janë të gatshëm dhe i mohojnë opozitës kohën më minimale që ka qenë praktikë në çdo legjislaturë, për tu njohur me programin e qeverisë i cili deri në këto momente mbetet një mister i madh.

I bëj thirrje kryetarit të ri të Kuvendit, ti qëndrojë besnik fjalëve që sapo tha, fjalë që akoma nuk kanë lënë eterin e aulës së Kuvendit dhe të rivendosë, nëse jo një standard të ri, të përmirësuar sikundër premtoi, të paktën standardin e premtuar deri tani, duke i dhënë kohën e nevojshme Parlamentit dhe opozitës për tu njohur me programin dhe për të përgatitur një debat dinjitoz dhe transparent mbi programin e paraqitur.

Në të kundërt, kjo situatë është e papranueshme dhe ne do të marrim të gjitha masat që na takojnë, si përfaqësues të denjë të opozitës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë dhe si mbrojtës të virtyteve thelbësore të opozitës, që janë transparenca dhe llogaridhënia, tha Basha.

Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, akuzoi kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, për arrogancë.

Në mbledhjen e krerëve të grupeve parlamentare unë kërkova që grupit të PD-së t`i jepet një kohë më e gjatë për tu njohur me programin qeverisës, në mënyrë që shqiptarët të njihen me qëndrimet e të gjitha palëve lidhur me atë që është më e rëndësishme për një parlament. Por, Ruçi në mënyrë absolute dhe me arrogancë të plotë deklaroi që nuk është në tagrin e PD për të vendosur se kur do të bëhet debati. Juve ju kemi thirrur thjesht për të diskutuar se sa kohë doni të flisni, na tha. Këto janë metodat e vjetra, edhe pse sot u fol për tolerancë, tha Paloka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›