E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD kërkon përjashtimin e Ballës me 10 ditë nga Kuvendi

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi sot marrjen e masës disiplinore ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për fyerje ndaj deputetëve të opozitës, gjatë seancës plenare të 7 nëntorit. PD kërkon përjashtimin me 10 ditë të Ballës nga Kuvendit.

“Në seancën e datës 6 nëntor, në shkelje të plotë të etikës dhe gjuhës parlamentare, gjatë diskutimit të tij në foltoren e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ndërkohë që fliste për miratimin e kalendarit dhe programit të punës së Kuvendit, ndërmori një sulm me fyerje dhe gjuhë joparlamentare drejtuar deputetëve të opozitës”, thuhet në kërkesë.

“Gjuha joparlamentare dhe fyese, që përfshin fjalë “lehni”, “raca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore”, theksoi PD në kërkesën e saj.

Sipas PD-së, kjo sjellje e deputetit Taulant Balla është e përsëritur seancë pas seance, dhe mbetet në çdo rast i pandëshkuar.

“Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është i papranueshëm dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare”, thuhet në kërkesë.

“Prova për përdorimin e gjuhës joparlamentare, fyese dhe kërcënuese, gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit, në facebook, gjatë fjalës së deputetit Taulant Balla, lidhur me programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PD për përjashtim.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›