E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD largon kritikët afron aleatët dhe të ikurit nga PS-ja

Gazeta Shqip

Berisha: Lista jonë shumë e mirë, lista e PS-së, komenti më i mirë no coment

Kryesia e PDPartisë Demokratike i ikin një pjesë e konsiderueshme e deputetëve aktualë të saj. Shkaku kryesor është përfshirja e aleatëve në listat e PD-së, si dhe të tre të pavarurve socialistë në listat e PS-së. Për më se një ore e gjysmë, Kryesia e PD-së ka diskutuar për listat e shumemërore, ku problemi kryesor ka qenë mënyra e përfshirjes së aleatëve të PD-së. Lista e Tiranës ka sjellë një surprizë, për faktin se nuk do të jetë Eduard Selami, por është kaluar në Qarkun e Elbasanit. Ashtu siç kishte premtuar, Sali Berisha ka përfshirë në lista emrat e tre të pavarurve, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli. Dy të parët janë në listat e sigurta të Qarkut të Tiranës. Ndërsa Kadeli do të jetë i treti në Qarkun e Lezhës. Futja e Kadelit ka bërë të mundur shmangien e njërit prej zërave oponentë të PD-së, Mark Marku. Ai nuk do të jetë në listat e PD-së për Qarkun e Lezhës. Ndërsa për Tiranën të bie në sy vendosja e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, në një vend ku mund të rrezikojë. Ai është renditur i 16-i në listën e deputetëve, ku PD-ja ka si projeksion të sajën si maksimale 16-n në zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa mësohet se Jemin Gjana nuk do të jetë në listat e sigurta të deputetëve. Emrat e rinj të PD-së në listë, që janë dhe si deputetë të sigurt, mund të jenë ai i Halim Kosovës, Jorida Tabakut, Visar Zhitit dhe të Keltis Krujës. Zv.ministri i Brendshëm, Arben Ristani, i parashikuar për të kandiduar në Tiranë, është zhvendosur në momentet e fundit, duke kaluar i dyti në Qarkun e Vlorës. Ky qark do të udhëhiqet nga Astrit Patozi. Kryeministri Sali Berisha, në orët e vona të mbrëmjes, deklaroi se listat e kandidatëve të deputetëve janë të plota dhe gati për KQZ-në. Listë fitoreje, listë e shkëlqyer fitoreje. Ju keni qarkulluar gjatë gjithë këtyre ditëve emra dhe kjo është e drejta juaj. E vërteta është se lista shumë shpejt dorëzohet dhe keni gabuar në shumë raste në parashikimet tuaja, por kjo është çështja juaj, tha Berisha. Lideri i PD-së, i pyetur rreth listave të PS-së, tha: Nuk kam asnjë koment të vetëm, se kam qenë i zhytur në një punë intensive të selisë, mos harroni se ne kemi aleatët tanë të vendosur sipas pozicioneve dhe sa i përket palës tjetër, komenti më i mirë është no coment. Madje, kreu i qeverisë, nuk mohoi as përfshirjen e Kastriot Islamit, përkundrazi vlerësoi maksimalisht figurën e ish-deputetit socialist. Absolutisht e konsideroj një meritë të tij, sepse ai u bë një nga zërat më kredibël, më të besueshëm në mbrojtje të interesit publik, për të cilin e përjashtoi dhe kreu i tij. Shumë normale është përfshirja e tij në listat tona. Në orën 00:07, PD-ja nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Njazi Kosovrasti, i ka dorëzuar listat në KQZ, duke ia mbyllur shtegun rrezikut të daljes së ndonjë deputeti si të pavarur nga lista e aktuale e grupit të PD-së. Ndërsa të paktën janë rreth 20 deputetë të grupit aktual të demokratëve.

Aleatët, në vend të sigurt dhe Xhuveli

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i ka kushtuar shumë vëmendje aleatëve, duke mos i lënë në harresë ato. Kështu, Fatmir Mediu, kreu i PR-së, është zhvendosur në momentet e fundit në Qarkun e Korçës. I vendosur në një vend të sigurt, i katërti në listën shumemërore të PD-së. Ndërkohë që ashtu siç pritej në listë është Dashamir Shehu i LZHK-së, i renditur në një vend të sigurt në listat e PD-së së Qarkut të Tiranës. Surprizë për PD-në është përfshirja në listë e kreut të Partisë Agrare, Lufter Xhuveli në Qarkun e Elbasanit, i renditur i shtati. Ndërsa kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, do të jetë i treti në listën e PD-së për Qarkun e Fierit. Ndërsa kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, do të jetë në listën e shumemërore të PD-së në Qarkun e Shkodrës. Ndërkohë që edhe Ekrem Spahiu, kreu i PLL-së, do të jetë kandidat në Qarkun e Dibrës.

Tabela

Kush ikën nga lista e PD-së

  • Jemin Gjana
  • Selami Xhepa
  • Rahim Çota
  • Mark Marku
  • Leonard Demi
  • Fatos Beja
  • Fatos Hoxha
  • Ilir Bano
  • Enkelejd Alibeaj
  • Viktor Gumi
  • Ardian Gjoni
  • Lajla Përnaska
  • Rahim Çota
  • Rajmonda Bulku
  • Rajmond Hoxha
  • Kreshnik Çipi

PD largon kritikët afron aleatët dhe të ikurit nga PS-ja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›