PD mbledh Këshillin Kombëtar, Berisha: U vonua për shkak të mbrojtjes së votës. Zgjedhjet e 11 majit, farsë

Partia Demokratike ka mbledhur këtë të mërkurë (17 dhjetor) Këshillin Kombëtar, mbledhja e parë e zhvilluar pas zgjedhjeve të 11 majit, ku PD, e cila garoi në koalicion, mori 50 mandate.
Në fjalën e tij hapëse, Sali Berisha shpjegoi arsyen e vonesës së mbledhjes, duke theksuar se prioritet ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve.
“Vonesa ka pasur vetëm një shkak, dhe ky ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë. Ne jemi njerëz të fjalës dhe u kemi thënë shqiptarëve se do ta mbrojmë votën”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar këtë proces si provën më të madhe të seriozitetit dhe përkushtimit të PD-së.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se zgjedhjet e 11 majit nuk kanë qenë të rregullta, duke i quajtur ato “farsë” dhe duke renditur një sërë praktikash që, sipas tij, deformuan garën zgjedhore.
“Farsa e vitit 2025, tejkalonte në përmasa të pakrahasueshme të gjitha farsat e tjera elektorale. Ata të cilët duan të fajësojnë opozitën për farsën bëjnë një gabim të madh në substancë, në thelb, dhe me dashje ose pa dashje justifikojnë farsën. Për ata të cilët, përsëri në mungesë të kulturës elektorale apo për arsye të tjera, mendojnë ndryshe, u them prapë se në rast se qeveria organizon në kundërshtim me ligjin, duke shpenzuar për çdo aktivitet, organizon 4533 aktivitete, përfshi ditën e votimit 7 milionë për Giro D’Italia, ajo nuk zhvillon zgjedhje, por zhvillon farsë dhe shkel me këtë parimet themelore të dokumenteve ndërkombëtare për zgjedhjet e drejta. Në rast se qeveria, në një proces zgjedhor, u dhuron 65 perqind të zgjedhësve 100 euro për votë, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë”, theksoi ai.
Berisha shtoi se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të fokusohet në protestën e lajmëruar më datë 22, ndërsa analiza e partisë do të shtyhet për një mbledhje tjetër.
“Pra, ne vijmë sot në provën tonë më të madhe para vetes tonë, para fëmijëve tanë, para shqiptarëve, para kombit, para vendit. Jo të paktë janë ata që nuk e kanë realizuar se kjo është një diktaturë, e cila e shtyp pluralizmin. Këtë tashmë e thonë 7 rezoluta ndërkombëtare. Jo të paktë janë ata që nuk e kanë realizuar se kjo është një diktaturë që përdor institucionet për të shtypur pluralizmin. Këtë e konfirmojnë 7 rezolutat ndërkombëtare. Por, në të gjithë këtë situatë, PD qëndroi. Qëndroi dhe do qëndrojë fuqishëm. Kjo mbledhje, që të jemi të sinqertë me ju, duhej të ecte në këtë drejtim, detyrohemi për shkak të situatës emergjente të krijuar, një agjendë të parashikuar për sot, ta shtyjmë për një mbledhje tjetër të afërt dhe të përqendrohemi të tërë në përgatitjen e përgjigjes që duhet t’i japim ne kësaj kalbësire që kundërmon në të gjithë botën”, deklaroi ai.
Për protestën, ai kërkoi angazhim maksimal, teksa shtoi se protestat nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Agjenda jonë do të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë. Kudo, brenda e jashtë Shqipërisë, degët tona kudo që janë do të angazhohen në protesta të fuqishme kundër këtij regjimi, pranë organizatave ndërkombëtare. Edi Rama i ka kohërat e numëruara. Forcë në botë që ta shpëtojë nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare nuk ka.”
/rtsh.al/