PD ndryshon arsyen për shkarkimin e Muhos
Mazhoranca nxjerr dekretin e Moisiut: E liroi si prokuror i rrethit
BLEDAR HOTI
Deklarata bombë e ambasadorit të SHBA-së. Aleksandër Arvizu ka tronditur mazhorancën, e cila ka gërmuar mbi të shkuarën e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho për ti gjetur një nismë të bazuar ligjore. Nisma paraprake e PD-së për shkarkimin e Muhos pa u bazuar në listë ka qenë një nga shqetësimet e vetë lidershipit të saj. Seanca ka nisur me akuza dhe kundërakuza për çështjen e zgjedhjeve ndër vite, derisa u zbulua fakti se Muho ka qenë i shkarkuar si prokuror në kohën kur President ka qenë Alfred Moisiu. Pas këtij fakti, Kryetarja e Kuvendit urdhëroi administratën të shpërndajë materialin e shkarkimit të Muhos, me argumentin se ai nuk ka pranuar të arrestojë Aleksandër Kuqon, i njohur si Kuqoja i Beratit. Për të denoncuar një fakt të tillë vetë kryeparlamentarja Topalli në fjalën e saj denoncoi një rast të tillë, duke theksuar se Muho u shkarkua me propozimin e kryeprokurorit Theodhori Sollaku e firmosur nga kreu i shtetit i asaj periudhe Moisiu. Ilirjan Muho ka mashtruar Parlamentin me CV që nuk tregon që është i shkarkuar nga Presidenti me propozim të kryeprokurorit Dhori Sollaku, ai mashtroi edhe në dëgjesën në komision. Nuk ndihesh ti i fyer që të ka mashtruar propozuesi që ke në koalicion. Propozuesi që ka sjellë në KQZ Muhon na ka mashtruar ju dhe ne. Ky është atentati më i madh që i bëhet Parlamentit. Ilirian Muho ka gënjyer dhe mashtruar Parlamentin me CV-në e tij se nuk tregon se është i shkarkuar nga Presidenti i Republikës me propozim të Dhori Sollakut. Seanca dëgjimore është një akt betimi. Për të Dhori Solllaku ka kërkuar shkarkimin e tij për lidhjen me krimin dhe kriminelët më të rrezikshëm. Ky është atentati më i madh që i bëhet parlamentarizmit. Kam 18 vjet në politikë. Në bazë të ligjit dhe Kodit Elektoral ka një nen, që i referohet këtij zotërisë, që emërimi është i paligjshëm, pasi ai është i shkarkuar për lidhjet me krimin, tha Topalli. Më tej kryeparlamentarja theksoi se Jam plotësisht dakord me të gjithë ata diplomatë që thonë se përgjegjësinë e ka qeveria. Po, po, qeveria është mazhoranca. Mazhoranca është këtu, mazhoranca është në KQZ, nuk mund të jetë balancë e nderuar pesë me dy gjysma KZZ-ve nga ju, katër me tre përsëri ju shumicë, ndërsa mazhoranca të rrijë dhe tju shohë. Ku do e kërkoni ju përgjegjësinë? Sigurisht që te qeveria, por edhe qeveria e merr përgjegjësinë, prandaj kërkon të respektohet parimi mbi të cilin është ngritur e gjithë godina e administratës zgjedhore, duke filluar nga KQZ-ja e deri te grupet e numërimit. Kjo është përgjegjësia! Natyrisht që ju mund të thoni se përgjegjësinë e merrni edhe ju, i marrim 5 me 2, i marrim edhe 4 me 3… ju shikoni dhe pastaj, ku ta kërkojmë ne përgjegjësinë? Te Pitela?! Te Pitela?!. Ndërsa deputeti i PD-së, Dashnor Sula, deklaroi se kërkoj ndjesë për votën time pro anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI-ja. Ka një shprehje popullore, e cila thotë se po të ketë halla … Por ju nuk keni ashtu që të rrëzoni Sali Berishën dhe të merrni pushtetin, ndaj kërkoni ti merrni zgjedhjet në tavolinë, theksoi Sulaj. Ndërsa ministri Genc Ruli duke iu drejtuar LSI-së u shpreh se u bë divorci, pala që iku të marrë anën e origjinës, nuk hoqi as prefektë e as zv.ministra. Ndërsa një debat u zhvillua për çështjen e koalicionit PS-LSI, duke e cilësuar si koalicioni i qelbësirave. Nuk m’i shtrembëron ti mua fjalët. Unë të përsërita fjalët e kryetarit tënd dhe ideologëve të tij që kërkuan në 2004-n Qelbësira të të gjitha vendeve, bashkohuni. Ajo që po ndodh është koalicioni i qelbësirave. Mirë fole Ilir. E meriton me ta dhanë dorën. Askurrgjë ske marrë vesh çfarë është folur tash 7 orë. Totozani është i vetmi institucion i pavarur, i propozuar dhe miratuar nga ju, ndërsa të tjerët janë baraspeshë politike. Ti nuk mund ti thuash e pavarur asaj që është baraspeshë politike. A kupton mor Ilir? Asgjë nuk kupton! KQZ-ja nuk është i pavarur, është baraspeshë politike. Në Gjermani e kanë të pavarur, institucion teknik”, theksoi Topalli, e cila replikoi me socialistin Bejtja, i cili u shpreh se nuk mund të ofendojë gjysmën e shqiptarëve votues të së majtës.
Nisma II e PD
Partia Demokratike ka depozituar një nismë të dytë për shkarkimin e anëtarit Muho, duke e bazuar atë jo më në nenin 18 të Kodit, por në 12 të ligjit zgjedhor. Janë 33 deputetë të PD-së, firmosën sërish nismën e dytë, në formën e një amendamenti. 1. Në preambulën e projektvendimit përpara fjalëve të nenit 14 të vendoset fjalën edhe neni 12 germa ë; 2. Pika e parë e projektvendimit ndryshohet si më poshtë vijon: Zoti Ilirjan Muho lirohet nga detyra e anëtarit të KQZ-së për shkak se është emëruar në shkelje të nenit 12 germa ë të Kodit Zgjedhor, si person i shkarkuar nga funksioni publik i prokurorit me dekret të Presidentit të Republikës nr. 3727, datë 13.32003, duke i fshehur Kuvendit, gjatë procedurës së emërimit, deklarimin e fakteve që pengonin emërimin në detyrën e anëtarit të KQZ-së, si dhe për të garantuar respektimin e parimit të baraspeshimit politik në përbërjen e këtij komisioni, thuhet në nismën e PD-së.
Përgjigjja
Muho: PD e dinte, shkarkimi jo pengesë për të qenë anëtar i KQZ
Anëtari i KQZ-së, Ilirjan Muho, në një deklaratë për NEWS 24 thekson se shkarkimi i tij i ndërmarrë nga PD-ja me një kërkesë të re bie sërish në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, duhet që fillimisht kërkesa të shkojë në KQZ, ajo më pas të votojë me pesë vota pro, si dhe mbi të gjitha Kuvendi duhet ta shkarkojë anëtarin me një shumicë votash. Muho u shpreh se akuzat e ngritura në Kuvend janë të pavërteta dhe se shkarkimi i tij në 2003 nuk e pengon për të ushtruar detyrën e anëtarit të KQZ.
Kjo masë është ezuauruar në vitin 2008, nuk kam pasur më pengesa ligjore që të mos ushtroja detyrën time, thekson ai. Lidhur me shkarkimin e tij, Muho sqaron se, në CV kam treguar përvojën e punës. Kanë qenë në dijeni që në vitin 2003 kam qenë prokuror i shkarkuar. Në momentin që kam pranuar kandidimin nga forca politike kam gjykuar se plotësoj kushtet sipas nenit 12. Nëse kërkesa do bazohej në një nga pikat e nenit 18, çështja do ishte e thjeshtë. Rasti që pretendohet se është shkelur ka të bëjë me prishjen e balancës. Pra, nëse është prishur balanca të mblidhemi dhe ta rregullojmë atje ku prishet, jo të cenohet KQZ, tha ai. Muho përdori të njëjtin argument dhe me faktin se edhe ish-kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka qenë person i dënuar porse kur u zgjodh kryetar i këtij institucioni iu parashkrua vepra penale. Për sa i përket lirimit të personit që pretendon PD-ja, Muho theksoi se ai person është i dënuar mbi bazën e vendimit që ai ka dhënë. Më tej ai thekson se PD-ja në Komisionin e Ligjeve ka qenë e njohur me një fakt të tillë. Ky shkak ligjor ka qenë i regjistruar që në propozimin tim, mediat kanë shkruar për këtë fakt dhe kanë publikuar një shkarkim të tillë. Anëtarët e komisionit e kanë ballafaquar këtë me kriteret ligjore, nuk kanë gjetur shkak ligjor për të rrëzuar propozimin tim, theksoi Muho.
PD ndryshon arsyen për shkarkimin e Muhos burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP