E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD në avantazh të fortë ndaj PS, Rama po shkon drejt mbylljes përfundimtare

18-05-2013 / Gazeta 55

Intervista/Flet kandidati i PD për Librazhdin, Eduard Selami: “Listat e deputetëve, garanci e fortë e mazhorancës - në PS dominon antivlera”

Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, për Librazhdin, Eduard Selami deklaron gjatë një interviste televizive, se PD shkon drejt zgjedhjeve të 23 qershorit me një bilanc pozitiv, duke e vendosur kështu mazhorancën në avantazh të fortë ndaj kundërshtarit. Z.Selami thotë se në 8 vite, kryefjalë e programit të Partisë Demokratike ka qenë zhvillimi i Shqipërisë, ndërsa përgatitjet për mandatin e tretë janë plotësisht logjike, nisur nga fakti se programi i PD-së për 4-vjeçarin e ardhshëm, është një program frymëzues dhe shpresëdhënës që është pritur shumë mirë nga shqiptarët. Për kreun e opozitës, Selami thotë se po shkon drejt mbylljes përfundimtare, duke lënë jashtë listës së deputetëve aleatët dhe mjaft figura me kontribute në të majtën politike – ndryshe nga PD që vlerësoi dhe çmoi kontributin e aleatëve të saj dhe të atyre figurave që s’u vlerësuan sa duhet nga PS

Z.Selami ju kandidoni në këto zgjedhje për Partinë Demokratike, në Qarkun e Elbasanit, konkretisht në Librazhd. Si e shihni këtë kandidim?
Me shumë kënaqësi. Është një nder i veçantë që kandidoj në një zonë kaq të rëndësishme për këto zgjedhje dhe një zonë e cila do t’i bënte nder kujtdo për shkak të traditës, kulturës dhe kontributit që ka në historinë e Shqipërisë në të sotmen dhe mbi të gjitha në të ardhmen e Shqipërisë.

Cili është rezultati që prisni në zgjedhjet e 23 qershorit?
Tani është gjithçka barazim, 7 me 7 me mandate, por në atë çfarë kam parë unë ka entuziazëm si dhe një rast shumë të mirë, dhe unë besoj që ky rezultat të jetë në favor të Partisë Demokratike. Ka mjaft entuziazëm brenda Partisë Demokratike si dhe ka mjaft investime serioze në Qarkun e Elbasanit. E ardhmja është akoma më e mirë dhe unë jam i bindur që rezultati jo vetëm do të mbahet, por do të thellohet në favor të Partisë Demokratike. 

Përsa i përket listave të PD, në të ndodhen edhe 6 aleatë, po ashtu dhe 3 ish-deputetë socialistë. Ka patur edhe pakënaqësi në radhët e PD për shkak të kësaj liste...Ju vetë si e vlerësoni?
Unë e vlerësoj në tërësi si pozitive. Është një listë që tregon se PD po zgjerohet, është gjithëpërfshirëse si me aleatët ashtu edhe me vlerat të cilat nuk janë vlerësuar siç duhet nga ana e kundërshtarit. Në këtë aspekt unë mendoj se kjo është një tendencë pozitive që shton shanset e fitores së Partisë Demokratike. Mendoj se PD ka më shumë shanse me shpalljen e kësaj liste, duke pasur parasysh dhe disa gabime dhe disa tendenca që shkojnë në drejtimin e kundërt nga kundërshtari, i cili ka shkuar në rrugën e mbylljes, të mbytjes së zërave ndryshe dhe mospërfshirjes së aleatëve. Mendoj se kjo është një listë e cila e vendos në një avantazh të fortë Partinë Demokratike.
 

Pse përfshirja e aleatëve?
Sepse kanë kontribut. Ligji është i tillë që nuk iu jep mundësi të përfaqësohen. Kjo është një politikë gjithëpërfshirëse, një seriozitet i PD për ta bërë këtë fushatë jo vetëm të PD, por një fushatë përtej Partisë Demokratike - një çështje që iu takon shqiptarëve, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Z.Selami drejt zgjedhjeve po shkohet me një KQZ me vetëm 4 anëtarë. Ndërkohë pritet të ketë një qëndrim edhe nga ambasada e SHBA. Është normale kjo situatë? Si duhet të veprohet?
Mendoj që s’është normale dhe KQZ duhet të plotësohet. Edhe në seancën dëgjimore që u zhvillua javën e kaluar në kongresin amerikan, pikërisht kjo gjë u tha, që duhet të plotësohet KQZ. Shpresoj që opozita ta ndryshojë mendimin. Marrëveshja është e tillë që, 4 anëtarë i takojnë mazhorancës dhe 3 opozitës. Pati një situatë e cila është e re në politikën shqiptare, një largim nga koalicioni i cili përmbysi raportet 4 me 3, i cili parashikohet nga neni 14-të i KQZ-së. Duhet që kjo të bëhet me konsensus, pasi kjo është në të mirën e Shqipërisë, të pozitës dhe opozitës. Shqetësimi i ambasadorit të SHBA, njëkohësisht siç u tha edhe në kongresin amerikan, është i drejtë. Deri tani nuk është përfshirë në mangësinë që ka, por normale është që komisioni të plotësohet dhe për këtë i bëj një apel opozitës të vijë në tryezën e opozitës dhe të plotësojë KQZ-në.

Me çfarë argumenti, Partia Demokratike, do të kërkojë para shqiptarëve votat për mandatin e tretë qeverisës?
Me një bilanc të qartë se çfarë është bërë këto 8 vite. Jo se s’ka patur gabime, gabimet janë pranuar - por akoma ka energji dhe forcë për të ecur përpara. Mendoj që bilanci i PD është mjaft pozitiv në drejtim të integrimit të Shqipërisë, forcimit të shtetit ligjor, në drejtim të punësimit, arsimimit, shëndetësisë. Programi është mjaft i qartë, është një program frymëzues dhe shpresëdhënës që është pritur shumë mirë nga shqiptarët. 8 vjet nuk janë të pakta dhe kanë një konsumim të natyrshëm, por koha po prodhon se sa më tepër i afrohemi 23 qershorit, PD është partia që po arrin të komunikojë më mirë me elektoratin. Dhe elektorati e sheh Partinë Demokratike si një forcë edhe të së ardhmes, një forcë shprese. Dhe këtu ka një avantazh historik PD kundrejt PS-së. Me kë më mirë sesa me PD, një forcë që rrëzoi komunizmin dhe filluan demokracinë, shqiptarët do të duan ta përshpejtojnë rrugën drejt integrimit? Kështu që, mendoj se ky bilanc është qartësisht në favor të Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, rivalët vijnë me dyshen Rama-Meta? Si e vlerësoni koalicionin kundërshtar?
Rivali është dinjitoz, por shanset tona janë shumë më të mëdha. Do të dëshiroja që për hir të konsensusit politik, këta rivalë ta marrin seriozisht plotësimin e KQZ-së dhe të zgjidhin problemin e 3 ligjeve. Akoma ka kohë, pasi parlamenti do të jetë në funksion deri javën tjetër. Do të shpresoja shumë, meqë edhe emri i koalicionit është vënë Aleanca për Integrimin Europian, që minimumi të bëhet, si të thuash, kalimi i 3 ligjeve. Kjo vërtetë nuk do t’i kthejë Shqipërisë kohën e humbur prej 3 vitesh nga opozita, por do të jetë një hap shumë pozitiv në drejtimin e duhur dhe është i mirëpritur nga ana e PD.

Sa shanse ka të votohen këto 3 ligje?
Shpresoj që shanset të rriten, shpresoj që kjo anë të kapërcehet, sepse në këtë pikë ne fitojmë të gjithë. Është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe të integrimit. Unë sërish do të mbetem optimist. Do të kërkoja, që lufta politike të lihet mënjanë - kjo është për interesin e Shqipërisë, si 3 ligjet ashtu edhe plotësimi i KQZ-së dhe do të shpresoja shumë që këto probleme të zgjidhen sa më shpejt dhe beteja politike të zhvillohet aty ku ka. Ka vend për tu ndarë. Nuk mendoj se këto janë për tu ndarë, këto janë për interesin e shqiptarë, kështu mendon shumica e shqiptarëve dhe në këtë pikë mendoj se kjo do të jetë në interes të Shqipërisë. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›