Nuk i lënë të qetë as të vdekurit
Megafonat e politikës antishqiptare në Maqedoni kanë një defekt të madh, të cilën nuk mund ta vërejnë për shkak të bindjes së tyre se ata e “flasin dhe e shkruajnë” vetëm të vërtetën dhe se gjithnjë kanë të drejtë. Defekti i tyre më i madh ka një emër dhe quhet gënjeshtër, të cilës i besojnë vetëm megafonat që për çdo ditë, si filloristë ambicioz, me përpikëri i realizojnë detyrat e shtëpisë, të cilat në fakt i marrin të gatshme, kurse ata me krenari të pashoq, në fund të detyrave, i shkruajnë emrat dhe mbiemrat.
Nuk i lënë të qetë as të vdekurit, kuptohet të vdekurit shqiptarë, ata të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj pjesë të shqiptarisë. I akuzojnë si kriminel dhe i dënojnë, merreni me mend, edhe aktet e përkujtimit të këtyre figurave, siç ndodhi edhe me përkujtimin e tre vjetorit të rënies së Harun Aliut me shokë, vrasja e të cilëve asnjëherë nuk u sqarua deri në fund, duke lënë hapësira për dyshime të shumta.
Megafonat e politikës antishqiptare sugjerojnë se “politikanët e kampeve politike maqedonase dhe shqiptare duhet të bisedojnë me qëllim që përfundimisht të vendosin se cilët personalitete do të përkujtohen me dinjitet, duke i lënë anash lojërat që nxisin nacionalizëm”. Kështu, thonë ata, nuk mund të ndërtohet shoqëria multi-etnike. Aq më tepër, bile kërkojnë edhe distancim nga këto komemoracione, duke kërkuar që të bëhet dallimi i qartë mes kriminelëve dhe përfaqësuesve të ushtrisë. Kështu vlerësohet një tubim modest përkujtimor për ata që ishin në vijat e para të frontit gjatë konfliktit të vitit 2001, por edhe në vijat e fronit përballë makinerisë ushtarake serbe në Kosovë.
Kuptohet, asnjë shqiptar nuk pret se këta megafona do të shkruajnë ndryshe, por së paku do të ishte njerëzore (ka edhe të tillë me instinkte kafshësh) që të mos përdoren disa epitete irrituese, siç është fjala “kriminel”, sepse tingëllon shumë e rëndë kur mungojnë faktet e qëndrueshme.
Që ironia të jetë më e madhe dhe absurdi të bëhet edhe më absurd, të njëjtët megafona e himnizuan në përmasat e fantastikës kthimin nga burgu të Tarçullovski, i cili nga Tribunali i Hagës qe dënuar për krime lufte. U organizua një pritje madhështore, të paparë deri tani dhe asnjë fjalë nuk u tha për civilët e vrarë në fshatin Luboten, përkundrazi ai u shpall “hero dhe sakrifikues për atdheun”. Atëherë shtrohet pyetje: mos vallë ky na qenka model i ndërtimit të shoqërisë multi-etnike në Maqedoni?
Duhet të jetë e qartë: shqiptarët kurrën e kurrës nuk do të lejojnë që të tjerët t’ua zgjedhin heronjtë. Kjo është një e drejtë pacenueshme. Njëjtë vlen edhe për maqedonasit, të cilët i kanë heronjtë e tyre, tashmë të përjetësuar edhe me buste në qendrën e Shkupit, ndonëse fqinjët bullgarë vazhdimisht ua kontestojnë.
Përfaqësuesit e shoqërisë shqiptare në të gjitha nivelet e përfaqësimit do të duhet t’i japin fund qëndrimit inferior ndaj akuzave dhe të pavërtetave që nuk rreshtin për çdo ditë nga megafonat. Sepse, duket qartë edhe nga Hëna se nuk bëhet fjalë për gazetari të pavarur, përkundrazi për një gazetari të dirigjuar që i shërben një politike që nuk zgjedh mjete për të njollosur gjithçka që është shqiptare, përfshi edhe të vdekurit dhe të gjithë ata që u sakrifikuan për çështje tepër sublime.
Shqiptarët nuk kanë faj që këta megafona gënjeshtrën e kanë të vërtetë të vetme. Shqiptarët nuk mund t’i riparojnë as defektet e tyre mentale që prodhojnë të pavërteta, si desert i kamuflimit të urrejtjes patologjike ndaj tyre (shqiptarëve). Gjykimet e tilla janë refleks i një politike që ende nuk mund ta marrë me mend ndryshimin e realitetit që ndodhi pas vitit 2001. Atëbotë për këtë ndryshim qe angazhuar edhe Harun Aliu, të cilin, ndonëse të vdekur, e gjykojnë si kriminel. Turpi nuk ka brirë
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”