Shenjat e dijetarit…
Rreth librit të Kujtim M. Shalës, “Portret semiologu në rini/ Diskurset e Rexhep Ismajlit”, botuar nga “Buzuku”, Prishtinë, 2013
Autor i rreth tridhjetë titujve me poezi e studime, Kujtim M. Shala botoi këto ditë librin Portret semiologu në rini/ Diskurset e Rexhep Ismajlit, që, deri më sot, është pa dyshim leximi/studimi më i plotë i veprës së Akademik Rexhep Ismajlit. Pas Hyrjes, libri Portret semiologu në rini është ndarë në këta dhjetë kapituj: I. Shenja e ide, II. Gramatika e parë, III. Gjuhë e funksion, IV. Gjuha shqipe, V. Gjuhë, etni, modernitet, VI. Gjuha: status e korpus, VII. Tekste të vjetra, VIII. Pasionet e dijetarit, IX. Autorët, X. Rexhep Ismajli. Po ashtu, libri ka një Shtojcë (Standardi në dy intervista), e cila përmban dy intervista të përzgjedhura e shumë interesante të Rexhep Ismajlit dhënë revistës “Java” (2002) dhe “Gjuha shqipe” (nr. 3, 2006). Libri përmbyllet me një Përshkrim të lëndës së librave të Rexhep Ismajlit, të përgatitur sipas Biografisë në dorëshkrim të Munish Hysenit.
Në fakt, siç e përcakton vetë autori që në hyrje, Portret semiologu në rini/ Diskurset e Rexhep Ismajlit “është libër që bën portretin e Rexhep Ismajlit, të lidhur me diskurset e tij, ndoshta në trajtën klasike e moderne: Diskursi është njeriu dhe gjithsesi: Diskursi është dijetari. Vërtet, diskurset bëhen përfaqësim i formimit dhe i kërkimit këtu e kudo i dijeve të logos-it” (fq. 9).
Po ashtu, Kujtim M. Shala sugjeron se “Portret semiologu në rini është një figurë e parë, e cila buron nga shenjat e portretit të dijetarit Rexhep Ismajli. Kjo figurë pasurohet e zgjerohet me paradigma dhe diskurse të tjera, që vetë Ismajlin e kanë çuar te historia e gjuhës, apo e kanë kthyer te sociolingusitika. E tillë, figura motivohet të përfaqësojë përtej vetes, në lakesat e diskurseve të Ismajlit. Semiologu i parë apo sociolinguisti i mbramë lidhen në faqet e këtij libri, për të dhënë Portertin e Ismajlit, të lakuar ndërmjet autenticitetit e projeksioneve tipike të një potretimi i parë” (fq. 5). “Rexhep Ismjali, një referencë çelës në gjuhësinë shqiptare sot, shëmbëllyesëhm me Eqrem Çabejn apo me Selman Rizën, nisi jetën me dijet si lexues e si studiues i letërsisë. Këta, nga dashurues të letërsisë, u bënë mbretër të gjuhësisë. Një figura e jona për Çabejn si Princ i ndaluar i kërkimeve letrare, rigjendet sot për Ismajlin, për të mbajtur e dhënë shenjat e para të dijetarit dhe dashurinë letrare të përjeshtshme të gjuhëtarit. Qoftë edhe vetëm kjo na shpie te kujtesa që na thotë se banojmë poetikisht, por në gjuhë”, shkruan Shala (fq. 11).
Ndërsa, studiuesi Bardh Rugova vlerëson se “autori Kujtim M. Shala, përmes këtij libri, krijon bazë të mirë dhe të qëndrueshme të studimeve të ardhshme për njërin ndër autoritetet kryesore të albanologjisë përgjithësisht”. Sipas Rugovës, “Kujtim M. Shala, duke përshkruar rrugën krijuese të një autori me ndikim në letrat shqipe, përshkruan njëherësh një pjesë të historisë së studimeve të albanistikës në Kosovë në dekadat e fundit”.
Pa dyshim, ky libër paraqet leximin më të gjerë dhe më intensiv të semiotikës, të kodeve, të kuptimeve dhe të kontekstit të gjithë veprës së akademik Rexhep Ismajlit, dhe, duke qenë i tillë, është një vlerë e re dhe e veçantë në studimet tona.