E Diel, 1 Nëntor 2026

PD ne fushate me slloganin Ne jemi Ndryshimi

Nën sloganin “Ne jemi Ndryshimi” Partia Demokratike do të  zhvillojë fushatën e saj elektorale. Një slogan i tillë u bë i ditur nga vetë kreu i mazhorancës parlamentare, Sali Berisha Kështu, e mbledhur mbrëmjen e sotme kryesia e Partisë Demokratike nisi zyrtarisht punën e kësaj force politike për garën elektorale të 23 qershorit. Kryeministri, Sali Berisha që në fillim të kësaj mbledhje shprehu besimin dhe bindjen e tij se PD dhe aleatët e saj shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si fitues të një mandati të tretë qeverisës.  “Ky është viti i fitores, viti i mandatit të tretë të forcës sonë politike, dhe mazhorancës aktuale. Qëllimi mbledhjes është hapja e përpjekjes së madhe të anëtarëve, mbështetësve, simpatizantëve, drejtuesve të fushatës elektorale për mandatin e tretë. Ne shkojmë drejt 23 qershorit më të vendosur se kurrë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, që të mbrojë vullnetin e lirë të çdo qytetari shqiptar”, vuri në dukje Berisha.  Gjithashtu, në funksion të organizimit të një procesi zgjedhor brenda dhe në respektim të standardeve, kreu i mazhorancës evidentoi faktin se kuadri ligjor miratuar me konsensus do të garantojë çdo votë. 
“Ne kemi besim të plotë se kuadri i ri ligjor, trashëgimia e shkëlqyer, standardi i  shkëlqyer i numërimit të votave, do të japin rezultatet autentike për vullnetin e shqiptarëve, ashtu siç dha në dy zgjedhjet e fundit. Ishte ky standard ai i cili bëri të mundur në maj të 2011 rrëzimin e murit të bashkisë”, deklaroi Berisha.  Njëkohësisht në këtë ligjeratë duke pasur në fokus arritjet, pritshmëritë dhe hapat që do të hidhen për të mundësuar mandatin e tretë, kryetari i shumicës parlamentare vlerësoi maksimalisht koalicionin qeverisës, ku pjesë e saj është dhe LSI. Ky koalicion, sipas tij, bëri të mundur zhvillimin ekonomik, dhe realizimin e reformave kyçe në këtë drejtim. Por duke qëndruar në këtë çështje, Kryeministri ironizoi rrugën e ndjekur nga lidershipi socialist.  “Po vijojmë me tratativat për aleancë me parti të tjera mirëfilltas të qendrës së djathtë e të majtë për tu paraqitur ashtu siç presin qytetaret shqiptare me 23 qershor, si koalicioni më i madh. Çfarë ndodh në kampin tjetër mosbesim, për të mos thënë dorëzim përpara ditës vendimtare te betejës. Thirrje këtij dhe atij. A thua se te gjithë kane preokupim karrigen e Edi Ramës. Sot i bën thirrje dhe duket i vetmi aleat qe i ka mbetur është Bamir Topi. Se ajo fjala qe i tha Fatosi mos u hiq si i vjetër, nuk do te thoshte se kane fjetur ne një shtrat, por siç e di ai do të thoshte kanë ngrënë në një çanak. Pra shkon ne zgjedhje vetëm me njeriun i cili i nxori dhe zorrët nga gazi Sokol Ballës kur i tha se dhe president me ka bërë Berisha me zor. Le ti lëmë në virgjinitetin dhe ç’virgjinitetin e tyre. Ne ecim pas çdo vote dhe ne çdo skaj te vendit, drejt një fitoreje të sigurtë për 2013”, vlerësoi Berisha.  Por, bashkimi kombëtar qëndron si një tjetër kryeçështje e axhendës së mazhorancës qeverisëse.  “Ideali i bashkimit kombëtar nuk ka qënë kurrë ndonjëherë më i fortë se ai që u krijua në këtë 100 vjetor. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është jetik për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe për të ardhmen e kombit shqiptar. Prandaj le të bashkohemi në me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Askush të mos shqetësohet nga ky proces. Ftoj çdo shqiptar që pas besimit tek zoti të rendisë besimin tek çështja e bashkimit, e cila mund të realizohet vetëm duke besuar fort. Ndaj PD e cila shpalli si yll polar çështjen kombëtare, dhe në këtë fushatë vjen e palëkundur nga besimi tek ky ideal, si kryesori në ndërtimin e së ardhmes së kombit shqiptar”, u shpreh Kryeministri. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›