E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD nis analizën për tradhtarët në Kuvend

Antena brenda familjes

Pas votimit të djeshëm në Kuvend për 6 anëtarët e Gjykatës së Lartë, në PD nisi analiza e rrjedhjes së votave. Sipas udhëzimit të dhënë jopublikisht duhet që dy gjyqtarët, Andi Çeliku dhe Majlinda Andrea, të mos votoheshin nga grupi i PD. Flamurit, i cili përgjigjet për ekzekutimin e politikave të PD, iu desh t’i bënte një raport të gjatë doktorit për këtë situatë. Në raport thuhej:

Nga analiza ime e hollësishme më rezulton se dy gjyqtarët, për të cilët kemi dhënë direktivë të mos kalojnë, u votuan falë lobingut privat të dy deputetëve, Besnik Mustafaj dhe Sami Gjergji.

Kështu, sipas Flamurit, rrjedhja e votave të PD për këto dy kandidatura, Andi Çeliku dhe Majlinda Andrea, ka lidhje me shthurjen e partisë dhe faktin që ai burri i toleron shumë disa armiq të PD.

- Të kam thënë disa herë që Besnik Mustafaj nuk mbahet më në parti me ato që bën, por unë s’kam fuqi ta nxjerr jashtë, pasi ai mbrohet nga ty. Të gjithën ai e bëri. Doli dhe bëri lobing për Andi Çelikun. Ça t’i bënim ne? Dhe ju gabuat që nuk e thatë hapur në grup parlamentar për kë do të votonit, pasi me mesazhet nën zë të Patozit ka spekulime, pasi deputetët bëjnë sikur nuk e dinë të vërtetën. Shumë vetë u gënjyen dhe fitoi ai. Po kështu dhe me Majlinda Andrean. Sami Gjergji i kishte kapur të gjithë një për një. Por ishte treguar dhe më i zgjuar. Kishte kapur socialistët para votimit dhe kishte thënë që doktori i kishte kërkuar grupit të PD të votonin kundër Majlinda Andreas. “Ju duhet ta mbështesni”, - i tha ai Fatmir Xhafës. Kaq mjaftoi që socialistët të bëheshin bllok pro Majlinda Andreas dhe votat e Sami Gjergjit, që shkojnë rregullisht nga 8 në 11 vota, kaluan lumin. Kështu, grupi u shthur.

Nga ana tjetër, doktor, kemi shumë probleme t’ua shpjegojmë njerëzve, pse kemi mbështetur kaq shumë disa nga këta emrat e tjerë. Rasti i Evelina Qirjakos më duket më i vështirë. Ajo s’ka qenë gjyqtare asnjë ditë dhe shkon drejt e në Gjykatë të Lartë, vetëm se ka qenë avokate e Fatos Nanos. Unë nuk dija si t’ua shpjegoja militantëve që vijnë në mëngjes e pyesin, por sajova sikur ishte skema jonë kundër Edi Ramës. U thashë që e kemi mbështetur kastile të shikonim sa mbështetje ka Edi Rama në grup në raport me Fatos Nanon. Votimi tregoi se Fatos Nano ia kontrollon grupin Edi Ramës dhe kjo është gjë e mirë për ne.

Për këtë zonjën Fullani, doktor, nuk kam dëgjuar rezerva, përveç faktit që paska qenë shoqe klase me Ilir Rusmalin. Por, meqë ai është sjellë mirë kohët e fundit, unë them që kjo të paraqitet si arsye pse e votuam atë. Me dy të tjerët nuk ka problem, se kam hapur fjalë që janë me PD.

Si përfundim, dua të them se mënyra se si ne duhet t’iu shpjegojmë njerëzve pse i votuam kandidaturat ka shumë rëndësi, pasi ndryshe na e marrin si dobësi.

Së fundi kam diçka dhe për dy kandidatët për inspektimin e pasurive. U bë mirë që u shty për vjeshtë emërimi i tyre. Unë them mo të votojmë asnjë, se unë nuk njoh asnjë prej tyre. Ndoshta deri në vjeshtë kemi mundësi të rregullojmë dhe ndonjë tjetër për pasuritë. Të them të drejtën nuk duhet të tolerojmë të na e marrë Bamiri atë zyrë, se ka shumë rëndësi për ne, megjithatë ti e di vetë se ç’duhet bërë.

Me respekt, Flamuri.

P. S. Më tha sekretarja se kishe shprehur shqetësim mo humbisja çelësat e PD. Mos ki merak, i kam kyçur të gjitha dyert dhe çelësat i mbaj në një rrip në qafë dhe nuk më humbasin. Derën nuk kam për të hapur, derisa të vish ti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›