E Diel, 1 Nëntor 2026

Dilema e emrit të universitetit të Vlorës

Vlora duket sikur e ka mallkim që të bëhet shpesh epiqendra e debateve përcëlluese.

Pa u shuar ende flaka e debatit të nxitur nga një tufë ambientalistësh të zemëruar për ndërtimin e parkut energjitik pranë këtij qyteti, ditët e fundit na doli në skenë një ngjarje tjetër. Senati i universitetit “Ismail Qemali” ka propozuar heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga emri i universitetit.

Pavarësisht se, sipas parametrave ballkanike, kemi të gjithë të drejtën e Zotit që të marrim armët, kur bëhet fjalë për cenimin e miteve, sërish analizat duhet të jenë të matura.

Senatorët, sipas raporteve në media, e kanë argumentuar propozimin e tyre te fakti që Ismail Qemali nuk ka kontribute në fushën akademike.

Kjo është e vërtetë, Ismail Qemali nuk njihet si studiues apo akademik, por nuk ka ndonjë normë ligjore që universitetet duhet të mbajnë emra njerëzish me kontribute në fushën akademike. Ne s’jemi vendi i vetëm që bëjmë emërtime të kësaj natyre.

Në botë ka universitete që kanë emra mbretërish, priftërinjsh e gjithfarë figurash të respektuara të historisë së vendeve të ndryshme – universiteti “John Moores” i Liverpulit, universiteti “Queen Mary” (Mbretëresha Meri) i Londrës etj. Ose një shembull alternativ, ish-presidenti amerikan, John Kennedy, nuk shquhet në historinë e Amerikës si pilot, megjithatë emrin e tij e mban një nga aeroportet më të mëdha amerikane dhe ndërkombëtare – aeroporti “John F Kennedy International” (JFK), Nju-Jork.

Por argumenti i senatorëve nuk duket se është fort i sinqertë, vërtet propozojnë heqjen e emrit të një “jo-kontribuuesi” në arsim, por ata nuk e zëvendësojnë atë me një emër kontribuuesi. Ata thjesht e heqin.

Dhe më qesharakja, sipas senatorëve vlonjatë, simboli i themelimit të shtetit shqiptar – përfshi edhe Ministrinë e Arsimit, shkollat e universitetet që do të vinin më vonë – nuk paska emër të denjë për një institucion arsimor krahasuar me emrin e një personi me veprimtari të kufizuar vetëm në një fushë të caktuar!

Do të kishte qenë më e pranueshme, nëse senatorët do ta motivonin heqjen emrit për shkaqe thjesht praktike. Unë gjithmonë e shkruaj me bezdi emrin e universitetit tim, sepse, për mua, është shumë i gjatë: universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës. Fakti që Çabej ka qenë personalitet me kontribute akademike, as që ma zbut bezdinë, kur më duhet të mbush dokumente që kërkojnë edhe emrin e universitetit, por, po të vihesha përpara propozimit për ta hequr këtë emër, do të mendohesha gjatë dhe në qëndrimin që do të mbaja, padyshim do të tregohesha i sinqertë, me argumentet përkatëse.

Në një intervistë, rektori i universitetit u shpreh dje se, me emër të ndryshuar universiteti i Vlorës do të marketohej më mirë dhe duke e dëgjuar mendova se universiteti “Ismail Qemali” është vërtet për të qarë hallin. Rektori nuk e di se vepra marketon emrin dhe jo emri veprën. Unë kam parë universitete me emrin më të gjatë se ai i Vlorës ose po aq të gjatë, por kjo nuk i kishte penguar që ata të jenë ndër universitetet konkurruese me ajkën e universiteteve të botës.

Rektori i Vlorës dhe gjithë pedagogët e tij duhet t’i futen punës me themel dhe jo të mendojnë se universiteti bëhet cilësor duke hedhur sipër tij dekoracione si ato të pemës së Vitit të Ri. Në lidhje me emërtimet, vlonjatët mund të bëheshin iniciatorë të një debati kombëtar, nëse do të flisnin për emrat e komunistëve që kanë mbuluar institucionet shqiptare dhe rrugët e vendit, ndërsa dihet që kontributi i komunistëve në historinë e Shqipërisë është kriminal. Dhe le ta fillojnë vazhdojnë sebatin duke i propozuar bashkisë së Vlorës të heqë emrin e Shefqet Musarajit nga biblioteka e qytetit sepse nuk i bën nder askujt veç pjesës më të keqe të saj: ai ishte një propagandist i pafytyrë i krimeve të komunizmit, siç lufta civile, shpronësimi, ndalimi i fesë etj.

Përderisa nuk e marrin një iniciativë të tillë, vlonjatët e sotëm bëjnë mirë të heshtin, sepse ende nuk na janë fshirë nga kujtesa veprimet antikombëtare mu në sheshin më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Në vitin 1997, në Sheshin e Flamurit u shfaqën simbole antikombëtare, në një lëvizje të dhunshme, prej së cilës humbën vetëm Vlora dhe Shqipëria dhe jo vendet nga ishin importuar tre gishtat. Ky simbol është përdorur në luftëra gjenocidale në Ballkan, përfshi edhe gjenocidin dhe spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa me propozimin e senatit të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, vlonjatët thjesht na risjellin në kujtesë një konflikt ndërshtetëror në Ballkan, i cili e ka bërë rajonin qesharak në sytë e botës.

Qeveria, kur t’i vijë propozimi i senatit të universitetit mbi tavolinë, do të ketë rastin më të mirë për t’iu dhënë një leksion të mirë atyre, duke e hedhur poshtë propozimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›