PD përjashtoi nga zgjedhjet anëtarët e para vitit 2001
Për ti vënë vulën të ashtuquajturit votim një anëtar- një votë për kreun e Partisë Demokratike, nga burime të brendshme nga kjo parti mësohet se të gjithë anëtarët që kanë qenë anëtarë para vitit 2001, dhe nuk kanë shkuar të marrin kartën e re të anëtarësimit, janë përjashtuar automatikisht nga e drejta e votimit, rrjedhimisht nga partia.
Në thelb, çdo anëtar i PD-së nga themelimi i kësaj partie deri sa kjo parti ka mbushur gjysmën e moshës që ka sot, është përjashtuar.
Pra, për mbështetësit e Berishës ka pasur një anëtar- një votë, për demokratët jo mbështetës për të, ose për ata pasivë, përfshirë edhe themeluesit që kanë jetuar jashtë vendit, këto qenë zgjedhjet një anëtar- asnjë votë.
Shyqyr që nuk jemi në një kohë tjetër, kur përjashtimet nga partia zakonisht shoqëroheshin me internime dhe ekzekutime.
Fjalorthi politik i ditës
Prerje e Mirë Në përpjekje për ta shpallur garën e 22 korrikut 2013 për kryetar të Partisë Demokratike mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës si të rregullt dhe reale, në qarqet e Partisë Demokratike thuhet se votat duhet të ndahen në raportin 60 me 40. Kjo quhet Prerje e Mirë, pra që ndihmon në bindjen e njerëzve se gara qe reale.
Nuk qe ky mendimi i organizatorëve të zgjedhjeve të PD-së, mes të cilëve dhe një ish-truprojë e Berishës, të cilët vendosën ta nxjerrin fitoren e Bashës një plebishit 80 me 20. Imagjinoni se si do të kishte dalë rezultati në rast se do të konkurronte Berisha me Olldashin p.sh.
Në këtë kontekst, Berisha i ka bërë nder vetes duke refuzuar të mbajë zgjedhje në partinë e vet. Në fund të fundit, votat janë shumë banale për diktatorët.
