“PD, plan real punësimi, Rama asgjë veç sloganeve”
Deputeti i PD, Gerti Bogdani
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani deklaroi dje se mazhoranca ka një plan real punësimi të bazuar në reforma të suksesshme dhe rritje ekonomike.
Një ditë pas prezantimit nga kryeministri Berisha të tre shtyllave kryesore të programit të PD-së për punësimin dhe zhvillimin ekonomik, gjatë mandatit të tretë qeverisës të demokratëve, Bogdani tha se në anën tjetër qëndron alternativa e sloganeve, për të shpikur një realitet të rremë dhe për të bllokuar progresin.
“Mbrëmë Kryeministri Berisha lajmëroi se ai do t’u paraqesë qytetarëve dhe grupeve të interesit planin konkret dhe real për hapjen e vendeve të reja të punës. Kryeministri bëri të ditur se ai dhe mazhoranca jo vetëm do të tregojnë në detaje se si do të hapen këto vende pune, por edhe se ku do të hapen konkretisht. Prej vitit 2009, Partia Demokratike, në drejtimin e vendit, ka krijuar 200 mijë vende pune, sepse është fokusuar në reformat për të përmirësuar jetesën e qytetarëve çdo ditë, ndërkohë që zoti Rama ka shpenzuar thjesht kohë elektorale për të shpikur një realitet të rremë dhe për të bllokuar progresin. Rama ka slogan, por jo plan për punësimin. Madje, ai po e bllokon punësimin”, u shpreh Bogdani.
Duke iu referuar bllokimit të statusit kandidat, Bograni tha se Rama i ka mohuar vendit qindra miliona dollarë investime dhe ka hequr mundësinë e krijimit të dhjetëra mijëra vendeve pune.
“Mbrëmë Kryeministri foli mbi impaktin që do të ketë në punësim marrja e statusit të vendit kandidat. Me refuzimin e tre ligjeve të statusit, prej më shumë se 150 ditësh, Edi Rama ka bllokuar qindra miliona dollarë investime dhe ka hequr mundësinë e krijimit të dhjetëra mijëra vendeve pune. Prej më shumë se 3 600 orësh, ai ka nxjerrë vetëm justifikime boshe, duke u hequr mundësinë qytetarëve të përfitonin nga këto qindra miliona euro investime dhe nga vendet e punës që ato do të hapnin. A mund të besohet Edi Rama se mund të krijojë vende pune vetëm me slogane? A mundet të shpresojnë qytetarët se Edi Rama do të hapë vende pune, kur halli i vetëm i tij është t’i gjejë punë vetes në Partinë Socialiste, veçanërisht pas 23 qershorit? Në 150 ditët e fundit, Edi Rama nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për të hapur qoftë edhe një vend pune, përveçse ka bllokuar dhjetëra mijëra punësime. Edi Rama e ka bllokuar progresin për një arsye të vetme, sepse ka zgjedhur një strategji të dështuar për të ardhur në pushtet. Ne po presim me shpresë që Rama të ndalojë sloganet dhe tregojë planin e tij real të punësimit, në mënyrë që të kemi mundësi dhe të debatojmë me të. Ndërsa Partia Demokratike, në pritje të një plani real punësimi nga Rama, do të vazhdojë të punojë për interesin e qytetarëve, sepse ne jemi të vetëdijshëm se ka ende punë për të bërë”, deklaroi deputeti demokrat, Gerti Bogdani.