Presidenti Nishani, konsultime transparente me politikën, për vendet vakante në institucionet kushtetuese

Presidenti i Republikës Bujar Nishani zhvilloi dje takime me përfaqësues të partive parlamentare, lidhur me vendet vakante në gjykata. Kreu i shtetit ka njoftuar se mirëpret propozime brenda tre ditëve, ndërkohë që bie në sy fakti, se paraardhësi i tij, zoti Topi, nuk e institucionalizoi asnjëherë institucionin e konsultimeve paraprake
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi takime të veçanta me përfaqësues të partive parlamentare, në kuadër të përfundimit të mandatit të njërit prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë si dhe për plotësimin e dy vendeve vakante që krijohen në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Nishani ka nisur konsultimet me të gjitha forcat parlamentare për kriteret që duhet të përmbushë kreu i ri i Gjykatës së Lartë që do të zëvendësojë Shpresa Beçaj, mandati i së cilës përfundon në datën 23 mars dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ju përfundon mandati në muajin maj.
Presidentit Nishani ka pasur takime me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Lefter Koka; Kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si dhe me përfaqësuesit e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
I kontaktuar në telefon nga mediat Astrit Patozi theksoi se me presidentin Nishani nuk është folur për emra konkret por në këndvështrimin e demokratëve anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe kreu i ri i Gjykatës se Lartë duhet të ketë integritet moral dhe profesional. Ndërsa ka vlerësuar praktikën që kreu i shtetit po ndjek për t’u konsultuar me forcat politike, procedurë kjo që nuk ndiqej nga paraardhësi i Nishanit, Bamir Topi. Ndërkohë në njoftimin për shtyp të zyrës së presidentit Nishani nënvizohet se, Presidenti i Republikës fton subjektet e interesuara të dorëzojnë kërkesat e tyre të shoqëruara me një CV pranë Institucionit të Presidentit të Republikës. Kërkesa duhet të jetë e nënshkruar dhe e skanuar dhe të dërgohet në adresën elektronike info@president.al, deri në ditën e enjte, datë 21 mars 2013, ora 00:00.