Fokus/Tashmë aleatët e Ramës po mësohen me rolin e kurbanit - paniku po shtrihet edhe tek strukturat e PS-së

Edi Rama po hesht si fija e barit në lidhje me partitë aleate të koalicionit opozitar, ku kryetarët e partive të vogla i kanë kërkuar atij që të përfshihen në listat e sigurta të PS-së për deputetë. Aleatët e Ramës e kanë çuar me shkrim “kushtin”, në PS, me të cilën kërkojnë të sigurojnë hyrjen në parlament. Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela, Petro Koçi, sekretari i Parë i Partisë së Punës së Reformuar, Marko Dajti, por dhe shumë të tjerë, i kanë kërkuar Edi Ramës që ata të jenë pjesë e listës së PS-së në qarqe të ndryshme. Këta politikanë pasi kanë qëndruar tetë vjet në opozitën e stolave rezervë, kryesisht për shkak të sistemit zgjedhor proporcional të zgjedhur nga Edi Rama, që penalizon partitë e vogla, kanë vendosur ta “shesin” shtrenjtë lëkurën kësaj radhe.
Megjithatë përfshirja hipotetike e Paskal Milos, Skënder Gjinushit, Spartak Ngjelës, Preç Zogaj, Petro Koçit e Marko Dajtit në listat e PS-së në qarqe të ndryshme do të krijonte pakënaqësi edhe nga deputetët aktualë, por dhe kandidatë të tjerë të PS-së. Dhe duke parë përplasjet e Ramës me militantët e bazës së PS në Kukës, Bulqizë e Peqin sinjali se do të hyjnë në listat e sigurta të kandidatëve për deputet të PS do ishte sikur t’i hidhje benzinë zjarrit. Beteja e nëndheshme mes socialistëve në Kukës, ku Asllan Dogjani ka organizuar protesta kundër kandidimit të Ramës, është e njëjtë me organizimin e militantëve nga ana e Ardit Kajës në Bulqisë, i cili nuk pranon të parakalohet nga Shkëlqim Cani në zonën në të cilën ka punuar nën rrogoz për gjithë këto kohë.
Për rrjedhojë të këtyre zhvillimeve në bazë, Edi Rama nuk do të përfshijë krerët e partive aleate në listat e sigurta pasi do të acarohej më tej gjendja që mund të shkonte në një rebelim të kryesisë. Kësisoj kreu i PS ka zgjedhur të bëjë kurban Milon, Gjinushin, Ngjelën, Zogajn e Koçin, të cilët do të jenë elektrone të lira në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, çka do të thotë për ta një tjetër katër vjeçar në stolin e rezervave. Karta e tyre e fundit për presion kundrejt Edi Ramës do të jetë grupimi në një aleancë me kundërshtarët e PS, ndonëse jo domosdoshmërish me PD.
Padyshim largimi nga koalicioni opozitar i Partisë Demokristiane dhe Partisë Për të Drejtat e Njeriut ishte një sinjal kuptimplotë i sjelljes së papërgjegjshme të Edi Ramës në raport me ta. Kreu i PDK, Nard Ndoka dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule u ndriçuan në kohë për të parë rrugën e humnerës në të cilën po e çon Edi Rama opozitën.
Sido që të jetë fundi i kësaj psiko-drame që përsëritet çdo palë zgjedhje parlamentare, një gjë është e sigurt: Edi Rama është i pabesë në aleanca. Ai nuk i qëndron asnjë marrëveshjeje politike, as ndonjë pakti etik, por vepron me parimin e nënshtrimit pa dinjitet. Kjo sjellje primitive e Ramës ka bërë të mundur që aleancat përtej PS të jenë shumë më etike dhe efektive.
Edi Rama kërkon të rilindë mbi kufomat politike të aleancave.