PD prezanton programin ekonomik

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/ Partia Demokratike prezantoi sot programin ekonomik.
Dorjan Teliti, koordinator i programit ekonomik të Partisë Demokratike, prezantoi 5 shtyllat kryesore të modelit ekonomik të PD-së që janë ekonomi që prodhon dhe krijon vende pune. Sistem fiskal të drejtë dhe taksa të ulëta. Barazi ekonomike dhe zhdukja e varfërisë ekstreme. Tërheqja e investimeve dhe kthimi i shqiptarëve në atdhe. Qeverisje e vogël, efikase dhe transparente.
Teliti kritikoi politikën e keqe ekonomike të qeverisë aktuale dhe ofroi një plan për të çliruar ekonominë nga burokracitë dhe korrupsioni, duke ofruar lehtësira fiskale për bizneset dhe sipërmarrësit, si dhe mbështetje për zhvillimin e sektorëve të prodhimit, bujqësisë dhe energjisë.
Teliti theksoi rëndësinë e një sistemi fiskal të drejtë dhe të qëndrueshëm, si dhe garantoi rritjen e pensioneve dhe mbështetje për familjet me të ardhura të ulta.
Ai po ashtu paraqiti masa për të tërhequr investitorë dhe për të rikthyer shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Koordinatori i programit ekonomik të PD, theksoi se, ky plan është i realizueshëm dhe ka si synim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
Geoffrey Van Orden, një ish-oficer britanik dhe themelues i New Directions European Conservative Foundation, theksoi gjatë prezantimit të programit ekonomik të Partisë Demokratike për vitet 2025-2029, se Evropa po përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë tensionet e vazhdueshme në Gaza dhe agresionin rus ndaj Ukrainës.
Ai theksoi se, Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të angazhuara për sigurinë evropiane dhe se shtetet e Evropës duhet të mbajnë përgjegjësinë për mbrojtjen e vet, duke u referuar ndryshimeve që kanë ndodhur që nga rënia e Murit të Berlinit, ku Evropa ka çarmatosur shumë.
Van Orden u bëri thirrje vendeve evropiane të rishikojnë politikën e mbrojtjes, duke nxjerrë mësime nga historia dhe duke u angazhuar më shumë në sigurimin e rajonit.
Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, Grant Van Cleve, në fjalën e tij gjatë prezantimit të programit ekonomik në PD, tha se, Shqipëria është vendi më pro-amerikan në Evropë dhe se Amerika ka qenë në mbështetje të saj.
Teksa fliste për reformat e presidentit Trump, Van Cleve theksoi se, vitet e fundit Shqipëria po përballet me shpopullimin dhe se, në vend mungojnë ato elementët thelbësorë dhe këto po pengojnë zhvillimin ekonomik.
Drejtuesi i fondacionit amerikan ‘Heritage’, Steven Bucci, i cili më herët ka shërbyer edhe si atasheu i parë ushtarak i SHBA në Shqipëri tha se, në Shqipëri ndryshimet do të kenë ndikim pozitiv.
Duke folur në takimin e prezantimit të programit ekonomik të PD, Bucci theksoi se të paktën Amerika nuk do të ketë një vend aleat që po bën gjëra shkatërrimtare për interesin e Shqipërisë, siç ka ndodhur edhe vitet e fundit.
Ai ka sjellë në vëmendje edhe ambasadorët amerikanë që kanë qenë më herët në Shqipëri, ndërsa është shprehur i shqetësuar duke thënë se ‘më ka ardhur turp vitet e fundit dhe kërkoj ndjesë për faktin se u duk që përfaqësuesit e Amerikës ishin më shumë në merak për ta bërë Xhorxh Soros, sesa të mbronin interesat e shqiptarëve apo të Amerikës’.
/a.f/