PD, protestë kombëtare para Kryeministrisë

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvillojnë sot protestën e shtatë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me disa deputetë të PD-së dhe një grup protestuesish, u nisën nga selia blu, nga ku më pas, marshuan drejt bulevardit për t’iu bashkuar protestës.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, janë rikthyer fjalimet nga drejtues të Partisë Demokratike si dhe nga partitë aleate.
Në podiumin e ngritur para Kryeministrisë, fjalën e mori i pari deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, njëherësh kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Xhaferri tha se ky shtet “është i lyer me bojëra të ndezura të propagandës, i bukur për t’u parë, por thellësisht i kalbur brenda”.
“Mjafton pak drejtësi e pakapur që i gjithë ky pushtet prej fasade të shkrumbohet dhe të bjerë në tokë”, tha ai. Më tej deputeti demokrat tha se mazhoranca socialiste e ka kthyer “Shqipërinë në një çiflig personal”.
“Paratë e taksave tona shkojnë drejtpërdrejt në xhepat e një grupi oligarkësh dhe pushtetarësh përmes tenderave sekretë dhe koncesioneve abuzive”, tha ai.
Sipas tij të rinjve “po u ofrohen dy rrugë; nënshtrimi ose emigrimi”.
Deputeti demokrat nënvizoi se “PD dhe opozita shqiptare janë e vetmja alternativë e vërtetë për ta kthyer këtë vend në shinat e Evropës”.
Profesori dhe përkthyesi Edvin Cami nga foltorja e protestës u shpreh se mazhoranca aktuale premtoi shtet, mirëqenie, integrim në Bashkimin Evropian, drejtësi të re dhe të reformuar, por, siç u shpreh ai “ajo që çdo qytetar sot sheh janë çmimet dhe korrupsioni që rriten; drejtësia që përndjek, si dikur, vetëm armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të partisë e të udhëheqësit, ndërsa ndalet dhe stepet përballë pushtetit të udhëheqësit”.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash që përfshin kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor në disa nga akset kryesore të kryeqytetit, ndërsa në terren pritet të angazhohen rreth 1500 efektivë për garantimin e sigurisë.
Nga ora 15:00, deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Protesta e shtatë kombëtare e PD-së, foto Andrin Hoxha, Florian Abazaj 1 nga 24(Vijon…)
/m.q/