PD reagon për programin e PS: Rama i pabesueshëm, mban peng progresin
Partia Demokratike ka reaguar pas prezantimit të programit nga ana e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një deklaratë të PD, thuhet se Rama nuk është i besueshëm, pasi ai ka mbajtur peng progresin. Sot Edi Rama, nxori në dritë axhendën e tij për Kongresin e Partisë Socialiste. Fatkeqësisht besueshmeria e Ramës nuk qëndron te çdo çështje së cilës ai i adresohet. Ai foli për një vend të pastër, por politikat e tij të dështuara si Kryebashkiak i Tiranës, bënë që Tirana të jetë qyteti më i ndotur në Shqipëri. Ai foli për dhënien fund të monopoleve, por mandati i tij i dështuar si Kryebashkiak i Tiranës çoi në krijimin e kartelit të lejeve të ndërtimit. Ai foli për rritjen ekonomike, por si Kryebashkiak ai nuk bëri asgjë për rritjen ekonomike, por rriti taksat në nivel rekord. Ai foli për progres, por si lider i opozitës ai ka bërë ccka mundur për të bllokuar progresin e Shqipërisë. Ai foli me një ton të ri, por përsëri sulmet ishin ato të vjetrat, të lodhura. Ai pretendoi se kishte ide të reja, por ishte po ajo retorikë e vjetër, e lodhur. Fatkeqësisht, ajo që pamë ishte pothuajse e njëjta gjë, duke iu shmangur shpjegimit që duhet t’i japë qytetarëve se pse po bllokon votimin e ligjeve të pakundërshtueshme dhe pse po mban peng progresin, thuhet në deklaratën e PD.