E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD sfidë PS, kërkon SHISH dhe buxhetin

Mazhoranca sfidon opozitën, hedh për miratim ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ndryshimet në buxhet


Seanca e sotme, një maratonë e vërtetë. Kalohen në rendin e ditës projektligjet e prapambetura


TIRANË- Mazhoranca sfidon opozitën duke hedhur në seancën e sotme plenare amendamentet në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ndryshimet në buxhetin e vitit 2010. Në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, Partia Demokratike do të kërkojë të miratojë ligjet që Partia Socialiste i ka kundërshtuar ashpër, dhe të cilat kanë krijuar një hendek më të madh midis dy partive politike.


Ndonëse opozita ka kërkuar publikimin e rendit të ditës nga Kuvendi, kjo e fundit nuk e ka bërë një gjë të tillë, por është mjaftuar duke nxjerrë lajmërimin se seanca plenare do të fillojë në orën 9:00. Lidhur me veprimtarinë e sotme të parlamentit mësohet se do të kalojnë në rend të ditës të gjitha pikat që nuk u shqyrtuan seancën e kaluar, duke shtuar këtu miratimin e ndryshimeve në buxhetin e shtetit.


Por tema më e rëndësishme në politikën shqiptare të këtij viti, miratimi i komisionit hetimor të zgjedhjeve, nuk pritet të hidhet në votim në seancën e fundit të këtij sesioni.

Seanca e sotme do të jetë një maratonë e vërtetë, ku pritet një debatet i ashpër midis deputetëve për çështjen e SHISH. Megjithëse është lënë që ky ligj të kalojë për miratim në shtator, mazhoranca do të ketë një tjetër skenar për ndryshimet.


Mësohet se Partia Demokratike do të tërheqë ligjin e SHISH dhe do të lërë për votim vetëm amendamentin e propozuara nga deputeti demokrat, Fatos Hoxha. Sipas këtij amendamenti, drejtori aktual i Shërbimit Informativ Shtetëror do të duhet që të shkarkohet pas gjashtë muajsh dhe se emërimi i tij bëhet 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.


Ndërsa për zëvendësdrejtorin amendimi i ri parashikon një periudhë më të shkurtër, tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Deri më tani janë shprehur kundër këtij ligji katër deputetët e LSI, Fatmir Mediu i PR dhe Dashamir Tahiri e Shpëtim Idrizi të PDU. Por kundërshtimi i këtyre shtatë deputetëve do të kishte vlerë vetëm nëse ata votojnë kundër ligjit.


Në rast se ata abstenojnë, mund të konsiderohet një votë pro për PD-në pasi për ndryshimin e ligjit duhen vetëm votat e gjysmës së deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit. 67 deputetët që i mbesin mazhorancës mjaftojnë për të kaluar ndryshimet në ligjin e SHISH.


Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se do të jenë të pranishëm deri në fund të seancës së sotme plenare dhe do të marrin pjesë vetëm duke dhënë votën e tyre kundër ndryshimeve në SHISH. Për sa i përket ligjeve të tjera, deputetët e PS nuk do të marrin pjesë në votim.


Një tjetër ligj që do të sjellë debate në Kuvend do të jetë dhe ai i shkurtimit të shpenzimeve të shtetit për 6-mujorin e dytë të këtij viti. PS i ka kundërshtuar ashpër këto ndryshime, ndërsa PD është e vendosur në miratimin e tyre. Ndryshimet synojnë mbajtjen nën kontroll të nivelit të borxhit publik dhe deficitit buxhetor.


Për sa i përket borxhit, qeveria parashikon vetëm mbajtjen e tij në nivelet e 59.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa parashikon një deficit 3.1 për qind ose 38 miliardë lekë.


Gjithashtu, parashikohet shkurtimi i shpenzimeve me rreth 39 miliardë lekë, nga të cilat 20 miliardë janë në zërin e investimeve si dhe ulja e nivelit të të ardhurave me rreth 27 miliardë lekë. Me ulje gjithashtu parashikohen edhe të ardhurat nga pushtetit vendor, ku nga rreth 21 miliardë që ishin parashikuar në fillim të vitit, tashmë janë në nivelin e 15.5 miliardë lekëve.


Por, sipas opozitës, këto shkurtime janë të pamjaftueshme për të kaluar krizën. Deputetët e majtë kanë paralajmëruar se deri në fund të vitit buxheti do të ulet sërish pasi masat e marra janë të pamjaftueshme.


Ndër ligjet që priten të miratohen është ligji për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative. Në rend dite është edhe ndryshimi i shtatë Kodeve por kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë pasi duhen 84 vota. Kodet që "pritet" të votohen janë: ligji për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë; ligji për Kodin Penal; ligji për Kodin Hekurudhor; ligji për Kodin Doganor; ligji për Kodin Ajror; ligji për Kodin Rrugor dhe ligji për Kodin Detar.


AXHENDA E SEANCËS SË SOTME NË KUVEND

Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60')
Projektligj "për disa ndryshime në ligjin e buxhetit 2010".
Projektligj "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative".
Projektligje "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të ndryshuar".
Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
Projektligje "Për disa ndryshime she shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 "Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë".
Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".
Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 "Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë".
Interpelancë me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, kërkuar nga deputeti Ditmir Bushati.

Deputeti Eduard Shalsi akuzon ministrin e Mbrojtjes dhe denoncon një tjetër abuzim me një shkollë në Kamëz


PS: Imami gënjen, s'ka VKM për Fushën e Aviacionit

TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, deklaroi dje se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami gënjen hapur në lidhje me tentativën për të shitur zonën e njohur si "fusha e aviacionit" në kryeqytet. "Arben Imami, Alarmit për të hequr dorë nga privatizimi i fushës së Aviacionit, iu përgjigj me një gënjeshtër të madhe, duke paraqitur një vendim të Këshillit të Ministrave, që askush nuk po arrin ta gjejë, sepse nuk ekziston asnjë vendim i tillë".


I ndodhur pranë ish-repartit ushtarak 3030 në kodër Kamëz, të cilin prej kohësh Bashkia e Tiranës e ka kërkuar për të ndërtuar një shkollë, zyrtari socialist bëri akuzën e radhës ndaj qeverisë.


Sipas deputetit socialist, ndërsa i gjithë ky komunitet kërkon të shohë një shkollë në këtë vend, dora e Imamit, me urdhër të Priftit, për llogari të Sali Berishës, kërkon ta shesë duke e nxjerrë në listën e objekteve për privatizim, siç është në njoftim. "Shikoni çfarë hipokrizie, tjetër rast flagrant.


Nga njëra anë kërkojnë më shumë shkolla, nga ana tjetër nxjerrin në shitje troje të destinuara për shkolla. Ky është projekti - shkollë të standardeve evropiane.


Një tjetër thirrje këtyre qeveritarëve të uritur për të gllabëruar prona publike, të destinuara për parqe, lulishte, kopshte, çerdhe, shkolla. Hiqni dorë ose përndryshe do të përballeni me rezistencën tonë të vendosur dhe me rezistencën e këtyre komuniteteve.


Ne do zhbëjmë çdo privatizim abuziv e korruptim", paralajmëroi nënkryetari i grupit Parlamentar socialist, Eduart Shalsi. Prej kohësh selia rozë po denoncon publikisht qeverinë lidhur me pronat që po nxjerr në shitje. Një rast i tillë ishte edhe nxjerra në shitje e Fushës së Aviacionit, në zonën e Laprakës, ku ministria e Mbrojtjes pretendon se ka një vendim qeverie për të, ndërsa socialistët thonë se nuk ekziston një i tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›