E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna dhe djali vrasin me thikë babanë

FIER/ Ylli Zeqaj është qëlluar me thikë ndërsa ishte në banesën e tij. Policia prangosi Luljeta Zeqajn dhe të birin


FIER - Vret ish-bashkëshortin me thikë me ndihmën edhe të djalit të saj vetëm 16-vjeçar, teksa përfundon në pranga. Ylli Zeqaj, banor i lagjes "Apolonia" në qytetin e Fierit është gjetur në banesën e tij, teksa në trup kishte plagë thike.


Ngjarja mësohet të ketë ndodhur ditën e premte, ndërkohë që trupi është gjetur mëngjesin e së dielës. Policia ka shoqëruar ish-bashkëshorten e viktimës, dy djemtë e tij, si dhe persona të tjerë, të cilët janë marrë në pyetje për të zbuluar më tepër lidhur me ngjarjen, ndërkohë që vetëm në orët e vona të mbrëmjes së kaluar deklaroi emrat e autorëve.


Ngjarja

Ylli Zeqaj banonte në lagjen "Apolonia", në katin e parë të një pallati. Mësohet se ai kishte nxjerrë për shitje apartamentin ndërsa prej një viti ishte ndarë nga bashkëshortja e tij me të cilën kishte dy djem. Mëngjesin e së dielës djali i tij i vogël, rreth orës 10:30 të mëngjesit të së dielës ka shkuar në shtëpi e më pas është drejtuar për tek shtëpia e gjyshes së vet, së cilës i ka treguar se ka gjetur të atin të zhytur në një pellg gjaku. Më pas ata janë rikthyer në banesë.


Ka qenë pikërisht nëna e viktimës ajo që ka njoftuar më tej të afërmit, si dhe policinë lidhur me vdekjen e të birit. Mbërritja e mjekut ligjor në banesën ku ndodhej trupi i 48-vjeçarit ka bërë që të zbulohej se vdekja ishte shkaktuar si rrjedhojë e një plage të thellë thike në trupin e Zeqajt.


Hetimet


Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima kishte pasur gjatë gjithë kohës grindje me ish-gruan e tij. Shkak për këtë ishte fakti që ai kishte nxjerrë njoftim për të shitur shtëpinë, gjë për të cilën ish-bashkëshortja nuk ishte dakord. Kjo e fundit pas ndarjes banonte në lagjen "1 Maji" të Fierit ndërsa dy djemtë rrinin me babanë e tyre, i cili punonte me mëditje te persona të tjerë.


E marrë në pyetje ish-bashkëshortja është shprehur se ajo kishte komunikuar në telefon me të pasi kishte mësuar se Zeqaj po bënte punime duke ndarë me mur njërën dhomë. Mësohet se ajo i ka kërkuar që të mos bënte asnjë punim pa dijeninë e saj. Dje në mëngjes ai është gjetur i vdekur me një shenjë të thellë plage në trup.


Në orët e vona të pasdites nga ana e bluve u bë e ditur se nga autopsia kishte rezultuar se 48-vjeçari ishte vrarë me thikë dhe se vrasja dyshohet të ketë ndodhur ditën e premte. Në pyetje u morën dy djemtë e viktimës, ish-bashkëshortja, si dhe të njohur të 48-vjeçarit. Në orët e vona të së dielës, u vendos arrestimi i gruas 45-vjeçare Luljeta Zeqaj dhe i djalit të vogël të viktimës, vetëm 16 vjeç.


Sipas policisë, pas një sherri të ndodhur në banesë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë vrarë me thikë kryefamiljarin. Krimi brenda familjes është kthyer në një plagë për shoqërinë shqiptare. Të shtunën një burrë në Shkodër vrau bashkëshorten dhe vajzën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›