PD sulmon krerët e Internacionales Socialiste: Janë dështakë si Rama
Nga Renato Dauti
Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Gerti Bogdani ka sulmuar krerët e Internacionales Socialiste, të cilët kanë qenë shumë aktivë gjatë ditëve të fundit dhe kanë ndikuar në bashkimin e PS-së me LSI-së. Në një dalje për mediat deputeti demokrat ka bërë një përmbledhje të karrierës politike të krerëve të Internacionales Socialiste.
Deklarata
Z. Papandreu, President i Internacionales Socialiste, mësuesi i pare dhe frymëzuesi i Edi Rames, u detyrua të lërë në mes mandatin e tij të kryeministrit të Greqisë në vitin 2011, për shkak te krizës ekonomike, ku u zhyt vendi i qeverisur prej tij. Si pasoje e lidershipit të tij prej diletanti dështak, për herë të parë që nga krijimi, partia e madhe greke PASOK sot është katandisur me 12% të elektoratit grek në vendin e tretë. Z.Stanishev, President i Partive Socialiste Europiane, humbi zgjedhjet në Bulgari ne vitin 2009. Një sere skandalesh shoqëruan mandatin e tij si kryeministër. Z. Pitela, Zv-president i Parlamentit Evropian, përfaqësues i Partisë Demokratike në Itali, e cila qysh se u krijua si formacion i të majtëve në 2007, nuk ka ardhur ende në pushtet dhe po dështon edhe në këto zgjedhjet e fundit. Z. Ayala është një apatrid i njohur në Internacionalen Socialiste, por askush nuk e mban mend se kur ai ka fituar një pale zgjedhje, tha Bogdani.
Rama
Duke ju referuar të dhënave të politikanëve të mësipërm deputeti Bogdani tha se Edi Rama po merr këshilla nga humbësit. Z.Rama humbi zgjedhjet në vitin 2009, dhe humbi zgjedhjet ne vitin 2011. Ai humbi sepse qytetarët e refuzuan atë. Ai di vetëm të humbas. Ai beson se i mbështetur nga humbësit e mëdhenj të rajonit do mund ti buzëqesh fitorja, por shqiptarët e dine mirë se nga humbësit dhe humbja vetëm humbje vijnë. Edi Rama ka një zakon të vjetër; ai merr këshilla vetëm nga humbësit, lista e të cilëve është shumë e gjatë. Ndaj nuk është çudi që këshillat e tij tani të vijnë edhe nga Kuba apo Venezuela, përfundoi Gerit Bogdani.
Projekti TAP, kryeministri Berisha
takon Presidentin e Azerbaxhanit
Në kuadër të vizitës së tij në Azerbaxhan, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Presidentit Azer Ilham Aliyev. Në fokus të bisedës ishte projekti i gazsjellësit TransAdriatik TAP ku në këtë pikë kryeministri Berisha theksoi se TAP është projekti më fizibël, më ekonomik dhe me tregun më të gjerë dhe më të garantuar. Kryeministri e njohu presidentin Alyiev me marrëveshjet trilaterale të firmosura nga Shqipëria, Italia dhe Greqia, ratifikimin e tyre nga Shqipëria dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur me përkushtim detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje dhe të gjitha detyrimet kontraktuale të këtij projekti. Nga ana e tij, Presidenti Aliyev theksoi se gjatë muajve që vijnë konsorciumi Shah Deniz 2 do të vendosë për projektin që do përzgjedhë për transportin e gazit Kaspik në Evropë dhe sigurisht kriteret ekonomike dhe të tregut do të kenë një rëndësi parësore në vendimin e tyre. Në takim u diskutua dhe për bashkëpunimin në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët, teksa kryeministri Berisha ftoi presidentin Alyiev për të vizituar Shqipërinë në kohën më të shpejtë e më të përshtatshme për të.