Rama: Për koalicionin me LSI-në kemi bërë sondazhe tek socialistët
Sondazhet e zhvilluara në të gjithë elektoratin socialist diktuan vendimin për t’u bashkuar me LSI-në. Kështu deklaroi kryetari i PS-së Edi Rama, i ftuar në emisionin “Mëngjes me Endrin” në AS. Duke komentuar reagimet kundër marrëveshjes PS-LSI, Rama deklaroi se vendimi ishte pasojë e një komunikimi të gjatë por kryesorja është sipas tij se vendimi është rezultat i vullnetit të elektoratit. “Vendimin për të realizuar këtë marrëveshje për tu bashkuar me LSI-në ju siguroj që unë e kam konsultuar jo vetëm me disa dhjetëra njerëz, po kemi bërë një sondazh enkas për këtë, kemi realizuar një sërë grupesh enkas për këtë, që do të thotë që kemi thithur mendimin e socialistëve, progresistëve, në mënyrë të detajuar në të gjithë Shqipërinë”, tha Edi Rama. Kreu i PS tha ndër të tjera se do të jetë në krye të qeverisë pas 23 qershorit për të aplikuar një tjetër sistem qeverisje, i cili garanton qeverisje të mirë dhe konsolidon demokracinë në vend. ”Do të udhëheqë një proces qeverisës që do të ndërtohet mbi baza krejt të tjera dhe do të jetë një sistem qeverisjeje që do të diktojë një sjellje tjetër, që nga unë i pari, sepse dhe unë që po flas jam një individ që mund të sillem ndryshe në sistemet e ndryshme. Ajo që ne kemi detyrë është të ndryshojmë sistemin e bashkëjetesës mes partive politike, sistemin e marrëdhënieve mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve, sistemin e komunikimit dhe të ndërveprimit mes qeverisë dhe popullit”, tha Rama. I bindur në fitoren me 23 qershor, Rama u shpreh se programi i PS për një rilindje shqiptare, është garancia për një tjetër model qeverisje, atë për qytetarin. “Kemi sot një program që do të garantojë transformimin historik të këtij vendi. Kemi sot një program që i jep përgjigje shumë pyetjeve të mbetura pezull, jo në 4 apo tetë vjet, po në 20 vjet. Kemi sot një program që merr përsipër të ndryshojë drejtimin e vendit dhe të ndryshojë krejtësisht fytyrën dhe natyrën e qeverisjes. Kjo nuk është e keqja më e vogël, kjo është një zgjedhje e qartë mes rrënimit që është e sigurt që ka vetëm rrënim me partinë familjare të kryeministrit dhe një rilindje shqiptare që është e sigurt që do të ndodhë”, vijoi Rama. I pyetur rreth reagimeve lidhur me ngjarjen 21 janarit, Rama u shpreh se fitorja në 23 qershor do të garantojë drejtësi për këtë ngjarje, duke theksuar se kryeministri Berisha është përgjegjësi kryesor për vrasjen e katër protestuesve opozitar. Ai premtoi se me ardhjen në pushtet drejtësia do të vendoset dhe përgjegjësit do të shkojnë para drejtësisë. (AS)