E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja çame, Rama: Ja projektrezoluta e PS për ti dhënë fund konfliktit

rama ne korcNë kohën kur deputetët e maxhorancës dhe ata të opozitës nuk po gjenin gjuhën e përbashkët në Komisionin e Jashtëm për sa i përket Rezolutës çame, kryetari i Partisë Socialiste prezantoi një rezolutë alternative për zgjidhjen e çështjes çame. Sipas Ramës, PS-ja e ka përfshirë zgjidhjen e çështjes çame në programin e saj ndërsa ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave që kjo çështje ta përfshijë si çështje politike.
Prezantimi
Ne sot duam të propozojmë një projektrezolutë alternative për adresimin e asaj që e quajnë çështje çame dhe që nuk mund të mbetet një çështje e pa adresuar. Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan, duke u mbështetur në frymën e Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, ne përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar, në përputhje me normat e gjithë pranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Për këtë i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike, në marrëdhënie diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit pranë Kuvendit të Shqipërisë për ecurinë e kësaj çështjeje”, tha Rama. Duke iu referuar përplasjeve të fundit mes PBDNJ-së dhe PDIU-së për rezolutën çame, kryesocialisti tha se drafti alternativ i propozuar nga PS-ja çminon terrenin e konflikteve, si dhe i vlen fqinjësisë së mirë mes dy vendeve. Ne kemi nevojë që këtë çështje, ashtu sikundër të gjitha çështjet që lidhen me liri e të drejta të shqiptareve dhe të minoriteteve, ti trajtojmë me urtësinë që na çon përpara, ti trajtojmë me sensin e solidaritetit qytetar mes komunitetesh që ndajnë të njëjtin fat, të njëjtat probleme, halle shqetësime, por dhe ëndrra e shpresa në Shqipërinë tonë të përbashkët, deklaroi Edi Rama. Sipas kreut të PS-së koha e nacionalizmave, e fryrjes së një zjarri ku boll janë djegur shpresat për shqiptarët, është kohë e shkuar.

Idrizi: Partitë politike të votojnë projektrezolutën
Pas propozimit të Partisë Socialiste për sa i përket çështjes çame reagoi kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpërim Idrizi. Teksa përshëndeti qëndrimin e PS-së, Idrizi u ka bërë thirrje të dy partive të mëdha që ta shohin më me përparësi çështjen çame dhe të shkojnë drejt miratimit të rezolutës në Kuvend. Ne përshëndesim hapjen e liderit të opozitës ndaj çështjes çame dhe konfirmimin se PS nuk e ka përfshirë në programin e saj këtë çështje thjesht për ta lënë në letër. Ne vlerësojmë se ky propozim që vjen nga Partia Socialiste zhbllokon impasin që ishte krijuar brenda komisionit të jashtëm në procesin e miratimit të rezolutës së çështjes çame nga parlamenti shqiptar dhe vëmë në dukje tre momente që shkojnë në të njëjtën gjatësi vale me projektin tonë. Pikësëpari theksohej se baza e zgjidhjes së çështjes çame është e drejta ndërkombëtare, marrëdhënia e mbështetur në fqinjësinë e mirë dhe Traktatin e Miqësisë.
Së dyti ne pajtohemi me faktin që çështja çame është një çështje e pazgjidhur politike që duhet adresuar diplomatikisht në frymën dhe me instrumentat e sipërpërmendur. Së treti çmojmë përfshirjen e detyrimit që qeveria të raportojë çdo gjashtë muaj në parlament për adresimin diplomatik të kësaj çështjeje. Prandaj i bëj thirrje të gjithë partive dhe deputetëve të kësaj legjislature që t’i përshpejtojnë hapat dhe të miratojnë atë,si një tekst të mirëpranuar nga të gjithë që adreson siç duhet çështjen çame”, deklaroi Idrizi.

Lëvizja Çame: Vlerësim për deklaratat
e fundit të PS për Çështjen Çame
Lëvizja Çame shpreh vlerësimin e saj në lidhje me deklaratat e fundit të Partisë Socialiste për përqasjen e tyre për Çështjen Çame. Prej kohësh ka lindur nevoja për një vizion të ri të të parit dhe të trajtuarit të kësaj Çështjeje nga ana e të gjithë faktorëve politik të rëndësishëm në vend thotë në një deklarate për media kjo lëvizje dhe shton: Mbështesin fuqishëm idenë për përdorimin e instrumentave europian të trajtimit dhe kërkimit të së drejtës për Çështjen Çame. Instrumenta që me aq bujë janë bërë publikë nga aktorë të ndryshëm politikë, por rezultuan veç flluska sapuni për përdorim të ngushtë partiak. Lëvizja Çame vlerëson se ka ardhur koha që politika dhqiptare duhet të krijoj së pari një Konsensus të gjerë për mënyrën e trajtimit të kësaj Çështjeje përtej përfitimeve politike, duke u fokusuar gjithmonë në Çështjen Kombëtare Shqiptare dhe vënien në vend të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të mohuara këtij komuniteti. Lëvizja Çame shprehet e gatshme të organizojë takime të komunitetit Çam me Partinë Socialiste për të diskutuar mënyrën për aprovimin e Rezolutës për Çështjen Çame dhe gjithashtu të diskutojnë për ndihmën që ky komunitet mund të jap për zbatimin e programit të PS për Çështjen Çame.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›