E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD të tërhiqet nga dosjet

Tirane - Partia Socialiste ka reaguar sot lidhur me këmbënguljen që kryeministri Sali Berisha dhe mazhoranca në drejtim të tij po tregon për ligjin e dosjeve, tashmë i kontestuar ky nga shumë përfaqësues ndërkombëtarë. Kryetarja e Grupit Kuvendor të PS-së, Valentina Leskaj, gjatë një deklarate për shtyp I bëri thirrje dyshes Berisha – Topalli, të cilët sipas saj me ligjin për lustrimin, po e futin vendin në një rrugë pa krye.

“Po e bëjnë këtë me konfliktet e krijuara me institucionet kushtetuese, e për
këtë shkak edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët natyrisht nuk mund të pranojnë që një vend aspirues për integrim të bëjë standarte të dyfishta. U bënë mbi dy muaj që komuniteti ndërkombëtar i përcjell në mënyrë të përsëritur qeverisë shqiptare, mesazhin per rishqyrtimin e ligjit të lustracionit duke e konsideruar atë si antikushtetues”, u shpreh ajo.

Zonja Leskaj citoi edhe shqetësimet e një dite më parë të presidencës së Bashkimit Evropian e cila ka bërë të ditur se një ligj i tillë vë në rrezik anëtarësimin e Shqipërisë në BE.”Kryetarja e Kuvendit po dje ka deklaruar se ditën e hënë do miratojë në Kuvend Autoritetin, pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Injorimi i qëllimtë nga ana e tandemit Berisha – Topalli, të këtyre mesazheve, duke abuzuar me krimet e së kaluarës komuniste, me qëllimin e vetëm për të mbuluar mëkatet e sotme, kanë vënë në rrezik serioz hapat integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike”, tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›