PD, tubim të premten në sheshin “Nënë Tereza”

Partia Demokratike do ta mbyllë fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale ditën e premte me një tubim i cili do të mbahet në orën 19:00. Lajmi bëhet i ditur nga drejtoria e policisë së Tiranës e cila ka theksuar se ka marrë një kërkesë nga subjekti politik Partia Demokratike për zhvillimin e një tubimi në sheshin “Nënë Tereza”.
Sipas policise, PD ka kërkuar leje për zhvillimin e tubimit nga ora 19.00 deri në orën 21.00, ndërsa thekson se do të marrë masa për mbarëvajtjen e tubimit.
Gjithashtu policia e Tiranës bën me dije se ka marrë një kërkesë edhe nga PDIU për zhvillimin e një tubimi në datën 5 maj nga ora 16.00 deri ne oren 21.00 në sheshin “Nenë Tereza”.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, garanton se do të marrë masa për sigurimin dhe garantimin normal të aktiviteteve për mbylljen e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e qeverisjes vendore maj 2011.
Ndërkohë në datat 5 dhe 6 maj, do të ketë ndalim qarkullimi dhe parkim të automjeteve në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", nga Ura e Dajtit deri në Sheshin "Nënë Tereza" Tiranë.