PD zgjedh sot kryetarin e Grupit parlamentar, fillon zyrtarisht opozita ndaj qeverisë “Rama”
Mbledhja e parë do të mbahet në orën 11:00 në selinë e re të demokratëve Partia Demokratike do të zgjedhë pak orë para nisjes së Kuvendit kryetarin e Grupit të ri Parlamentar. Të gjithë deputetët për mbledhjen e parë për këtë legjislaturë, e cila do të mbahet në orën 11:00 në selinë e re të demokratëve. Prej pak ditësh ka përfunduar njëra prej sallave ku do të zhvillohen mbledhjet e forumeve të demokratëve në ish- Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, ku do të mbahet edhe takimi i parë i deputetëve të PD-së, tashmë në opozitë. Pika më e rëndësishme e kësaj mbledhjeje do të jetë pikërisht zgjedhja e kryetarit të Grupit Parlamentar, i cili sipas statutit të PD-së është njëkohësisht edhe nënkryetar i Partisë Demokratike. Megjithatë, nuk bëhet e ditur se cilët janë emrat e mundshëm të kandidatëve që diskutohen për të zënë vendin, i cili prej vitit 2007 mbahej nga Astrit Patozi. Në korridoret e selisë blu gjatë ditëve të fundit janë përfolur disa emra, por asnjëri prej tyre deri tani nuk është artikuluar si kandidat zyrtar për të zënë vendin e kreut të Grupit Parlamentar. Megjithëse më pak se 24 orë nga zhvillimi i kësaj mbledhjeje dhe nisjes së punimeve të Kuvendit, deputetët demokratë ende nuk janë njoftuar për mënyrën se si do të zgjidhet kreu i Grupit. Sipas statutit të PD-së, nënkryetari i Kuvendit që është edhe kryetar i Grupit Parlamentar, zgjidhet me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. “Njëri prej nënkryetarëve është kryetar i Grupit Parlamentar”, thuhet në pikën 3 të nenit 43 të statutit të Partisë Demokratike. Sipas procedurës së katër viteve më parë, së bashku me zgjedhjen e kryetarit të Grupit, deputetët demokratë në Kuvend pritet të zgjedhin edhe nënkryetarin e Grupit, sekretarin dhe zëdhënësin. Në ditët e ardhshme, pas seancës së parë të Parlamentit, do të diskutohet brenda Grupit demokrat edhe shpërndarja nëpër komisione, si dhe komisionet që PD-ja do të drejtojë. Sipas të gjitha gjasave, nga nëntë komisione që janë gjithsej, 6 pritet t’i drejtojë koalicioni i majtë dhe tre Partia Demokratike. Nuk përjashtohet mundësia që PD-ja të ketë kryesimin e Komisionit të Integrimit, Komisionit të Mediave dhe Komisionit të Shëndetësisë, të cilat në katër vitet e fundit i ka drejtuar PSja në opozitë. Njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarëve të komisioneve, demokratët do të zgjedhin gjithashtu edhe nënkryetarët në komisionet që drejtohen nga e majta.
...