E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU: Ndal “Agimit të Artë”, në trojet tona etnike!

TIRANE-“Policia duhet të reagonte ndaj provokimit të këmishëzinjve të “Agimit të Artë”, ndaj mediave tona në varrezat e Himarës!”. Kështu ka reaguar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, partia PDIU ndaj pjesëmarrjes së përfaqësuesve të partisë neonaziste “Agimi i Artë” në jug të vendit.

“Policia s’mund të rrijë e heshtur para pretendimeve territoriale të një organizate fashiste në truallin tonë, pretendime që u lëshuan duke dhunuar një mjedis të shenjtë si varreza!

Në një mënyrë tërësisht burracake, njera nga organizatat më të turpshme dhe më të rrezikshme në Europën e Bashkuar, “Agimi i Artë”, u shfaq në një ceremoni përkujtimore vdekjeje të një shtetasi shqiptar. Të udhëhequr nga sharlatanë, shitës flamujsh dhe banditë të tjerë, kjo organizatë u përpoq të shfaqte gjoja nacionalizmin e vet në Himarën tonë, një vatër e rëndësishme urbane që dëshmon vazhdimësinë e kombit shqiptar në të gjithë kohërat”, theksohet në deklaratën e PDIU.

Kjo parti reagon me forcë ndaj mungesës së ndërhyrjes së policisë ndaj dhunimit të mediave shqiptare prej “Agimit të Artë”.
“Nuk ka asnjë pretekst legal në këtë vetëpërmbajtje të policisë sonë. Këta njerëz, që ishin në pozitën e veprimtarit politik siç e tregonin veten me veshjen e tyre të zezë, nuk po kryenin ndonjë shërbesë fetare, por po zhvillonin veprimtari antishtetërore në një mjedis të shenjtë si varreza. Autoritetet policore duhet t’i përmbaheshin një vendimi të mëhershëm të ministrit të jashtëm të Shqipërisë për ta shpallur non grata kryetarin e kësaj Lëvizjeje. E gjithë kjo organizatë duhet ndaluar së vepruari në territorin shqiptar. Shteti shqiptar vazhdon të funksionojë dhe duhet të funksionojë me forcë dhe në periudhën e tranzicionit të pushtetit politik”.

PDIU vlerëson faktin që me këta njerëz nuk u bashkuan banorë të tjerë të Himarës që sipas këtij subjekti politik si dhe prononcimet e mëhershme të familjarëve të të ndjerit Aristotel Guma, të cilët nuk kanë dashur ta kthejnë vdekjen e të dashurit të tyre, në motiv ndarës të komunitetit të shquar himariot.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›