Kërcënimet me luftë të Agimit të Artë, PDIU: Duhej të ndërhynte policia
Tiranë- Pas thirrjeve antishqiptare dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve nga përfaqësuesit e Agimit të Artë në Himarë, ka reaguar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp ajo shprehet se pas provokimeve të shumta nga përfaqësuesit e partisë greke, policia duhet të kishte ndërhyrë.
Në një mënyrë tërësisht burracake, njera nga organizatat më të turpshme dhe më të rrezikshme në Europën e Bashkuar, Agimi i Artë, u shfaq në një ceremoni përkujtimore vdekjeje të një shtetasi shqiptar. Të udhëhequr nga sharlatanë, shitës flamujsh dhe banditë të tjerë, kjo organizatë u përpoq të shfaqte gjoja nacionalizmin e vet në Himarën tonë, një vatër e rëndësishme urbane që dëshmon vazhdimësinë e kombit shqiptar në të gjithë kohërat… Por PDIU reagon me forcë ndaj mungesës së ndërhyrjes së policisë ndaj dhunimit të mediave shqiptare prej këmishëzinjve fashistë të Agimit të Artë. Nuk ka asnjë pretekst legal në këtë vetëpërmbajtje të policisë sonë. Këta njerëz, që ishin në pozitën e veprimtarit politik siç e tregonin veten me veshjen e tyre të zezë, nuk po kryenin ndonjë shërbesë fetare, por po zhvillonin veprimtari antishtetërore në një mjedis të shenjtë si varreza. Autoritetet policore duhet ti përmbaheshin një vendimi të mëhershëm të ministrit të jashtëm të Shqipërisë për ta shpallur non grata kryetarin e kësaj Lëvizjeje. E gjithë kjo organizatë duhet ndaluar së vepruari në territorin shqiptar. Shteti shqiptar vazhdon të funksionojë dhe duhet të funksionojë me forcë dhe në periudhën e tranzicionit të pushtetit politik,- thuhet në deklaratë
Dje në në Himarë u zhvillua përkujtimorja e vdekjes së të riut himariot Aristotel Guma, që humbi në një aksidenti automobilistik më 12 gusht të vitit 2010.
Por qarqet ekstremiste greke, përfaqësues të Agimit të Artë, partisë neonaziste greke, kanë reaguar dhunshëm ndaj gazetarëve shqiptarë, duke mos lejuar xhirimet, madje duke tentuar edhe thyrjen e kamerave të pranishme në këtë përkujtimore.
Forcat ekstremiste greke kanë kryer akte antishqiptare në kishë dhe në varreza, në përpjekje për ta kthyer Aristotel Gumën në një martir që ka rënë sipas tyre për të mbrojtur interesat e Greqisë në Himarë.
Eksponentët e partisë neonaziste greke kanë kërkuar të kryejnë një rit brenda kishës në Himarë-Fshat, por prifti është larguar nga kisha. Një grup të rinjsh të veshur me bluzat e zeza të Agimit të Artë, ndërsa familjarët e të ndjerit Guma kryenin ritet, shpalosën flamurin e Vorio-Epirit dhe Agimit të Arte dhe lexuan një deklaratë antishqiptare dhe antikushtetuese.
Madje përfaqësuesit e saj kanë kërcënuar edhe me luftë, ku Kristoforos Tsankas, u shpreh se nuk do të largohen nga Himara deri në çlirimin e saj.
Po them dy fjale ne emer ne komandantit tone, Nikos Mihaliakos, te kryesise dhe ne veçanti të të ngarkuarit per çeshtjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund te ndodhet ketu, pasi regjimi i jashteligjshem i Tiranes e ka shpallur ate ‘non grata’ per shkak te aktivitetit te tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet ketu me ne. Poeti yne kombetar, Dhionisis Solomos ka shkruar: ‘Mos valle kam gje tjeter ne mendjen time vec lirise dhe gjuhes?’ Pikerisht kete kishte ne mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhe, ndaj dhe ra si hero. Vdekja e tij tragjike tregoi se me te vertete ai u tregua grek dhe vrasesit e tij tiranë. Eshte fati i grave te Himares te lindin heronj. Dhe eshte fati i kesaj toke qe te mbaje ne gjirin e saj trima. Si njerez na vjen keq per vdekjen e tij. Si greke ne mbajme ne zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madheshtine e burrit. Kriminelet qe i hoqen jeten, nuk mund t’i perdhosin emrin, i cili do te mbetet i perjetshem. Ai humbi jeten per te fituar perjetesine. Zonja dhe zoterinj, Agimi i Artë nuk vjen ne Himare per te ikur. Bejme nderime mbi varrin e tij dhe premtojm se do te vazhdoje luften, deri ne momentin e çlirimit. Rrofte Kombi!”-tha Tsankas.