E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU mbledh kryesinë, drejt koalicionit parazgjedhor me PD

21-04-2013 / Gazeta 55

Kryesia e PDIU-së vendosi përgatitjen për zgjedhjet e 23 qershorit si dhe autorizoi me unanimitet kryetarin, z. Shpëtim Idrizi, që të zhvillojë negociata për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi sot mbledhjen e kryesisë për të mbajtur bilancin e mandatit katërvjeçar të prezencës së kësaj force politike në Kuvend dhe për të nisur përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi vlerësoi se prezenca e kësaj force politike në mandatin katërvjeçar të Kuvendit ka ofruar një vizion të ri në politikën shqiptare, duke u paraqitur si partia që nuk bën kompromise mbi çështjen kombëtare. Në katër vitet e fundit, PDIU u afirmua si forca e vetme politike në vend me një bilanc të qartë dhe të prekshme, duke pasur nisma ligjvënëse dhe ekzekutive, si edhe duke krijuar një frymë të re politike në vend.
Në mënyrë të veçantë, gjatë bilancit të punës së PDIU, u vlerësua miratimi i Rezolutës për Çështjen Çame, që për nëntë vjet rrinte e fshehur në sirtarët e Kuvendit dhe vetëm fal trysnisë pozitive të ushtruar nga deputetët e PDIU, shqiptarët e Çamërisë dhe të gjithë shqiptarët që mbështesin këtë kauzë kombëtare, mori fuqi ligjore.

Deputeti i Qarkut Vlore z. Dashamir Tahiri vlerësoi se bashkëfinancimi me qeverinë shqiptare i Varrezave Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë në Kllogjer të Sarandës, ka qenë një sukses i të gjithë patriotëve shqiptarë, të cilët mbyllën hesapet me të kaluarën e Çamërisë duke respektuar ata që humbën jetën vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë. Kjo, u vlerësua si pikënisja e rrugëtimit të gjatë drejt të ardhmes me qëllimin e qartë, rikthimin e shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre, hapi i parë i së cilës ishte realizimi i rezolutës çame.
PDIU në katër vitet e fundit ofroi një fizionomi kombëtare, duke bllokuar tentativat antishqiptare. Shembull i pakontestueshëm i rolit të PDIU u vlerësuan amendamentet në ligjin e censusit, të cilat bllokuan oreksin për rritje artificiale të numrit të minoriteteve në Shqipëri. Këto amendamente i ofruan kombit shqiptar ndalimin e tentativave për të krijuar një shtet multietnik, çka u vlerësua si sukses historik i PDIU.
Në vazhdën e bilancit të PDIU-së, u analizua ngritja e një fryme të re në shoqërinë shqiptare dhe u vlerësua roli i PDIU-së për rritjen e patriotizmit. Në këtë suazë, u vlerësua kontributi i PDIU-së në ringjalljen e çështjes çame, e cila sot, në krahasim me katër vite më parë, është në qendër të jetës politike dhe shoqërore në vend dhe me një sensibilizim të pakrahasueshëm ndërkombëtar. Për më tepër, gjatë mbledhjes së kryesisë, u vlerësua konsekuenca e qëndrimeve të strukturave drejtuese të partisë, të cilat kanë qenë në ballë të betejës kundër marrëveshjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për varrezat e ushtarëve imagjinarë të ushtrisë pushtuese greke, marrëveshjes së ujërave, lejimit të hyrjes në Shqipëri të forcave neonaziste greke, ngritjen e zërit për bashkimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, krijimi me VKM i Komitetit të Diasporës, ruajtjen e dinjitetit kombëtar shqiptar dhe të të drejtave të shqiptarëve kudo ndodhen.
Këto aspekte të jetës parlamentare të PDIU-së në Kuvendin e Shqipërisë, e kategorizojnë atë, si partia e vetme kuvendore përtej kabinetit qeveritar, që ka ndërmarrë me sukses nisma konkrete ligjore dhe ekzekutive, me një konsekuencë dhe kauzë kombëtare, përgjatë këtyre katër viteve.
Në këtë kuptim, kryesia vendosi që të nisin përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke pohuar vendosmërinë e rritjes së përfaqësimit parlamentar të PDIU-së në përbërjen e ardhshme të Kuvendit, çka do të kontribuojë në rritjen e zërit dhe trysnisë pozitive për çështjet kombëtare e në veçanti për çështjen çame, si edhe do të fuqizojë partinë që për katër vjet tregoi se në momentet kyçe të zhvillimeve të çështjes kombëtare, arriti të ndërhyjë me vendosmëri duke ndaluar abuzimet e duke fuqizuar pozicionin e kombit tonë.
Në fund të takimit, kryesia e PDIU-së, autorizoi me unanimitet kryetarin, z. Shpëtim Idrizi, që të zhvillojë negociata për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›