PDK: Prokurori i EULEX të heq dorë nga imuniteti
Partia Demokratike e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka thënë se me vëmendje po e përcjell procesin gjyqësor, Rastin Kleçka. Kjo parti është ndërlidhur me faktin se, përkundër kërkesës së Mbrojtjes së Fatmir Limajt, Prokurori i çështjes, Marucio Salustro, nuk ka pranuar të vihet në shërbim të drejtësisë duke u mbrojtur nga imuniteti.
Partia Demokratik e Kosovës konsideron se në vendet demokratike, ku sundimi i së drejtës është parim themelor, askush nuk mund të fshihet pas imunitetit, thuhet në komunikatën e PDKsë, të lëshuar sot në mëngjes.
Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje EULEXit që të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme në funksion të këtij qëllimi, për trajtim të barabartë të të gjithëve para ligjit. Partia Demokratike e Kosovës i përmbahet fuqishëm motos askush mbi ligjin, të gjithë të barabartë para ligjit, përfundon komunikata.
Mbrojtja e Fatmir Limajt ka paraqitur, të martën, para kryeprokurorit të EULEXit dhe para gjykatës kërkesën për shkarkimin nga detyra të prokurorit special, Maurizio Salustro.
Mbrojtja, në kërkesën e saj, ka listuar një sërë arsyesh që ajo konsideron se prokurori duhet të largohet nga çështja. E kërkesa e tillë erdhi pasi që në ditarin e dëshmitarit X është akuzuar edhe prokurori, se në seanca të marrjes në pyetje, e ka shtyrë që të nënshkruajë procesverbalin pa iu përkthyer.