PDK dorëzon padinë në prokurori: Në Shkodër na u vodh një deputetNga TemaPartia Demokristiane dorëzoi dje një kallëzim penal ndaj disa anëtarëve të grupeve të numërimit të votave në qarkun e Shkodrës, duke i akuzuar ata se kanë shpërdoruar detyrën du
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PDK dorëzon padinë në prokurori: Në Shkodër na u vodh një deputetNga TemaPartia Demokristiane dorëzoi dje një kallëzim penal ndaj disa anëtarëve të grupeve të numërimit të votave në qarkun e Shkodrës, duke i akuzuar ata se kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar rezultatet zgjedhore.
Kryetari i PDK, Nard Ndoka, shpjegoi arsyet se pse kanë hartuar një kallëzim të tillë. Ai tha se partisë së tij i është mohuar një deputet në qarkun e Shkodrës.
“Të vendosur për t’i shkuar deri në fund zbardhjes dhe transparencës së numërimit të votave, grupi i ekspertëve pranë Partisë Demokristiane, pasi tërhoqi në mënyrë zyrtare nga KQZ procesverbalet përkatëse dhe pamjet filmike të KZAZ nr. 40, 41, 42, 43 dhe 44, zbulon nëpërmjet rinumërimit fakte dhe prova tronditëse të manipulimit të procesit zgjedhor në këto zona.
Faktet janë të shumta dhe nga rinumërimi i votave në qarkun e Shkodrës duket qartazi se Partia Demokratike nëpërmjet komisionarëve të saj i ka shtuar vetes vetëm në qarkun e Shkodrës 11.784 vota.
Koalicionit “Poli i Lirisë” i janë vjedhur 5.873 vota, ku më e dëmtuara është PDK. Pra, koalicionit “Poli i Lirisë” dhe konkretisht PDK i është vjedhur një mandat deputeti në Kuvendin e Shqipërisë në qarkun e Shkodrës, duke pasur të qartë që mbeten 4.014 vota që i rezistuan duarve të komisionarëve.
Gjithashtu rezultojnë tjetërsime të votave edhe për subjekte të tjera politike, me të cilat duhet të merret drejtësia”, - tha Ndoka.
PDK ka dërguar bashkë me kallëzimin në prokurori dhe provat që ka ajo.
“Partia Demokristiane ka dërguar sot në prokurori të gjitha provat që disponon;
Pamjet filmike, ku dallohen dhe vërtetohen qartazi manipulimet e kryera. Procesverbalet e firmosura nga grupet e numërimit, ku dallohen qartazi ndryshimet mes tyre dhe rinumërimit në ekran. Vendimet për refuzimin nga KZAZ e qarkut të Shkodrës për pranimin e vëzhguesve të koalicionit “Poli i Lirisë”, - tha Ndoka.
Kryetari i PDK tha se kjo është pjesa e faktueshme me dokumente e manipulimit, pasi ka të tjera të dhëna që kjo parti po diskriminohej.
“Më datë 28 qershor, në orën 17.00, nëpërmjet një konference shtypi PDK ka denoncuar vjedhjen e votave në disa qendra votimi të qarkut të Shkodrës, si rritje artificiale të votuesve, duke futur fletët e votimit në kuti për persona që nuk kanë shkuar për të votuar (emigrantët, persona të vdekur të regjistruar në lista etj). Në disa qendra votimi komisionarët e dy partive politike, PD e PS, kanë mbyllur votimin me pazare duke nxjerrë rezultate fiktive, si 300 me 1, 450 me 4 etj.
Kryetarja e Kuvendit ka sulmuar me shpifje ordinere të papërgjegjshme gjatë fushatës elektorale Partinë Demokristiane, si parti mafioze, trafikantësh dhe spiunësh. Pak ditë pas këtij sulmi politik të bërë në mënyrë publike, nuk vonuan edhe aktet barbare, ku edhe vritet kryetari i PDK së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka.
Janë penguar me forcë vëzhguesit e koalicionit “Poli i Lirisë” të jenë prezentë në numërimin e votave duke u ushtruar presion edhe nga Policia e Shtetit”, - tha Ndoka.
Drejtuesi demokristian bëri të ditur se ata kanë depozituar një padi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të votave, por, edhe pse kërkesa është mbështetur ligjërisht nga dy anëtarë të këtij komisioni, ajo nuk është pranuar. Po ashtu, Kolegji nuk ka marrë në shqyrtim këtë kërkesë.
Ndoka tha se PDK kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Sali Berisha, dhe krijimin e një qeverie teknike pas daljes në shesh të këtyre manipulimeve skandaloze.
Kallëzimi penal i PDK
Objekti i kallëzimit: Fillimi i procedimit penal kundër shtetasve Neritan Kalakushi, Zamir Kozmani, Esmeralda Elezi, Vilson Molla, Jetmira Kozmani, Shpëtim Turkaj, Erfit Dushku, me banim në Shkodër, për kryerjen e krimeve të shpërdorimit të detyrës, të falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 25, 248, 326 të Kodit Penal.
Baza ligjore: Neni 283 i Kodit të Procedurës Penale.
Prokurorisë së rrethit gjyqësor, Shkodër
Në datën 28.06.2009 të kallëzuarit kanë ndërmarrë kryerjen e një veprimtarie të mirëfilltë kriminale, në rrethanat që vijojnë:
I. Subjektet e kallëzimit
1. Partia Demokristiane e Shqipërisë është person juridik që ushtron aktivitet politik, në Republikën e Shqipërisë, në këtë akt ka cilësinë e kallëzuesit të një apo disa krimeve të kryera.
2. Neritan Kalakushi, Zamir Kozmani, Esmeralda Elezi, Vilson Molla, Jetmira Kozmani, Shpëtim Turkaj, Erfit Dushku janë shtetas shqiptarë, madhorë, banues në Shkodër, në këtë kallëzim janë kallëzuar në cilësinë e anëtarëve të grupit të numërimit të votave të zgjedhjeve te datës 28.06.2009, që u përkasin qendrave të votimit Nr. 0083, 0101, 0255 dhe 0294.
II. Faktet që përbëjnë kundërligjshmëri kriminale
3. Në datën 28.06.2009 janë zhvilluar zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.
4. Nga ana e të kallëzuarve, anëtarë të grupit të numërimit të votave, janë përpiluar tabelat e rezultateve të qendrave përkatëse të votimit.
5. Sipas këtyre tabelave ka rezultuar që Partia Demokratike të ketë marrë 161 vota në QV 0083, 180 vota në QV 0101, 327 vota në QV 0255 dhe 246 vota në QV 0294, ndërsa PDK të këtë marrë zero vota në QV 0083, zero vota në QV 0101.
6. Nga verifikimet e kryera në dokumentacionin zyrtar, si dhe rinumërimi i votave ka rezultuar që shifrat e deklaruara në procesverbal janë të rreme. Konkretisht janë shkruar 138 vota më tepër për Partinë Demokratike dhe 22 vota më pak për PDK.
7. Verifikime të mëtejshme, të kryera nga përfaqësues të PDK, kanë vërtetuar përkundrejt dokumentacionit të saktë ligjor shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
III. Veprat penale, objekt i kallëzimit
8. Nga ana e të kallëzuarve, në bashkëpunim, janë kryer veprime të kundërligjshme, duke u konsumuar elementët e figurës së veprave penale që vijojnë:
a. Shpërdorimi i detyrës i kryer në bashkëpunim, i parashikuar si krim nga nenet 248, 25 të Kodit Penal:
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime material ose jo material të padrejta a kanë dëmtuar interesa të ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridik, nëse nuk përbën vepër tjetër penale…”
b. Falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve, i kryer në bashkëpunim, i parashikuar si krim nga nenet 25 dhe 326 të Kodit Penal:
“Paraqitja në dokumentet e zgjedhjeve të të dhënave, rrethanave, shifrave që dihen se janë të pasakta, përpilimi i dokumenteve false ose zëvendësimi i të saktave me të rreme, i bërë nga personat e ngarkuar me përpilimin, vlerësimin, nxjerrjen e rezultateve apo ruajtjen e dokumenteve, dënohet…”