E Diel, 1 Nëntor 2026

A ka tragjedi në Tisa? Nga Evropa e LirëNga njoftimet e fundit përfaqësues të institucioneve të Kosovës nuk konfirmojnë vdekjen e asnjë kosovari në lumin Tisa në Hungari, e madje as fundosjen e ndonjë barke, në të cilën supozohet se gjendeshin 19 per

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

A ka tragjedi në Tisa? Nga Evropa e Lirë

Nga njoftimet e fundit përfaqësues të institucioneve të Kosovës nuk konfirmojnë vdekjen e asnjë kosovari në lumin Tisa në Hungari, e madje as fundosjen e ndonjë barke, në të cilën supozohet se gjendeshin 19 persona.

Ajo që mundën të konfirmojnë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës është se, pas kontakteve me Budapestin zyrtar, është kuptuar se buzë lumit Tisa, para pak ditësh, janë gjetur në gjendje jo të mirë shëndetësore kosovari Blerim Rama dhe dy fëmijët e tij.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se autoritetet kosovare dhe ato hungareze po bashkëpunojnë për të qartësuar se çfarë ka ndodhur në lumin Tisa.

“Do të ndërmerren të gjitha masat dhe, nëse ka vepër kriminale në këtë ngjarje, ajo do të hetohet dhe ata që meritojnë, të marrin dënimin e merituar”.

“Absolutisht nuk ka asnjë informacion zyrtar. Cilëndo shifër që mund t’ua jap, mund të ndodhë që nesër të më demantoni dhe të dalë e pasaktë”, - shprehet Hyseni.

Mësohet se informacionet jozyrtare për fundosjen eventuale të një barke në lumin Tisa kanë arritur në Ministrinë e Jashtme kosovare që para tri ditësh.

Si përpjekje për t’i zbardhur paqartësitë në lidhje me rastin, bëhet e ditur se ministri Hyseni tashmë ka autorizuar ambasadorin e Kosovës në Vjenë, Sabri Kiçmarin, për të udhëtuar në Hungari, që të merret me këtë çështje.

Këtij të fundit, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga përfaqësues të shtetit hungarez i është konfirmuar vendndodhja e kosovarit Rama - një qendër azilkërkuese në Hungari.

Ndërkaq, zëdhënësja e Policisë serbe në Kikinda, Radojka Radanoviç, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë rast.

“Për momentin, nuk mund të themi asgjë zyrtarisht. Unë nuk e di se çfarë kanë publikuar. Për këtë ngjarje kemi dëgjuar, por përmes agjencive të lajmeve dhe nga mediat e Prishtinës”, - thotë Radanoviç.

Policia e Kosovës, po ashtu, hedh poshtë të ketë marrë ndonjë informacion zyrtare në lidhje me incidentin në fjalë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, thotë se pret mbështetjen e misionit EULEX në lidhje me këtë çështje.

“Ne nuk kemi asgjë zyrtare në kuptimin e kontakteve. Sigurisht që ajo është çështje e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila do të kontaktojë autoritetet hungareze. Ne kemi pranë EULEX kolegët e Hungarisë dhe besoj se në atë drejtim do t’i realizojmë kontaktet e nevojshme”, - thekson Ahmeti.

Mirëpo, përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, hedhin poshtë pohimet të jenë përfshirë në këtë rast.

Zëdhënësja e EULEX, Karin Limdal, mohon përfshirjen aktuale të këtij misioni në këtë ngjarje. Sidoqoftë, ajo shprehu gatishmërinë e EULEX për t’i ndihmuar institucionet kosovare në këtë drejtim, po qe se kërkohet ndihmë nga to.

***

Policia kufitare e Hungarisë, që prej 15 tetorit, është duke kërkuar rajonin përgjatë kufirit midis Hungarisë dhe Serbisë të lumi Tisa, por deri më tash nuk ka gjetur as personat që kanë tentuar të kalojnë kufirin ilegalisht dhe as trupat e tyre, ka njoftuar të enjten policia hungareze.

Reagimet e policisë kanë pasuar njoftimet e djeshme të medieve se ka dyshime që 15 shqiptarë nga Kosova mund të jenë mbytur në Tisa, midis 14 dhe 16 tetorit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Hungari.

Zëdhënësi i policisë hungareze, Çongrada Janosh Pal, citohet të ketë thënë se më 15 tetor, në afërsi të kufirit, është gjetur një burrë dhe dy fëmijët e tij, në gjendje kritike shëndetësore të shkaktuar nga hipotermia.

Vajza trevjeçare kishte marrë trajtim të menjëhershëm shëndetësor, kurse vëllai i saj njëvjeçar ishte transferuar në spital.

Pal ka shtuar se pas këtij incidenti, autoritetet kanë nisur një procedurë penale kundër këtij personi dhe se tani fëmijët janë në gjendje stabël.

Shefi i policisë në Suboticë, Boro Muçiç, ka deklaruar dje se nga kolegët hungarezë është njoftuar se me rastin e kalimit të paligjshëm të kufirit në lumin Tisa, në anën hungareze është fundosur një barkë dhe se është gjetur një grua e vdekur, ndërkohë që kërkimet për të tjerët po vazhdojnë.

Muçiç u ka thënë medieve serbe se informacionet janë duke u këmbyer nëpërmjet një komisioni të përzier, anëtar i të cilit është ai vetë në emër të Serbisë, dhe në anën e Hungarisë, gjenerali Janosh Lukaç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›