PDK-ja bashkohet me PD-në, sot zyrtarizohet marrëveshja

Partia Demokristiane i rikthehet bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar më herët, kreu i PDK-së Nard Ndoka, do të zyrtarizojë shkëputjen e tij nga koalicioni opozitar me Partinë Socialiste.
Në një njoftim për mediat, PDK bën të ditur se Kryesia e kësaj partie do të zyrtarizojë sot në orën 12:00 marrëveshjen e bashkëpunimit me PD-në, marrëveshje kjo në bazë të cilës pritet që PDK-ja të marrë një post zëvendësministri.
Në këtë mënyrë, PD dhe PDK i janë rikthyer bashkëpunimit pas më shumë se 4 vjetësh kur koalicioni mes dy partive u prish.
Ndërkohë vjeshta duket se ka ardhur me risi për Partinë Demokristiane. Edhe pse u ndanë, duke u kthyer në kundërshtarë të përbetuar, Nard Ndoka e Nikollë Lesi pritet të shkojnë sërish drejt bashkimit në një partie.
Kreu i PDK-së Ndoka dhe ai i Lëvizjes Demokristiane Nikollë Lesi pritet të krijojnë një formacion të vetëm, që të synojë hyrjen në Parlament në zgjedhjet e ardhshme.