PDK refuzon kërkesën e Krasniqit

Me, apo pa sekretarin e përgjithshëm të PDK-së, Jakup Krasniqi, e nënkryetarin Fatmir Limaj, Kongresi i partisë më të madhe në vend do të mbahet më 26 e me 27 janar. Koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, ka deklaruar se kongresi nuk do të shtyhet, madje për të, tashmë janë bërë përgatitjet deri në detajet më të vogla.
Megjithëse flitet se sekretari i përgjithshëm i partisë, Jakup Krasniqi, ka “kërcënuar” me largim nga partia nëse nuk shtyhen zgjedhjet për të pritur edhe lirimin e nënkryetarit Fatmir Limaj, Musmurati është i bindur se pikërisht Jakup Krasniqi është ai i cili do ta bëjë hapjen e këtij kongresi, meqë kjo parashihet me statutin e partisë.
Megjithatë e pranon se Krasniqi është tërhequr pak nga partia, por thotë se Krasniqi nuk ka probleme me PDK-në, por me individë, shkruan Koha Ditore. PDK-ja ka probleme serioze në degët e Prishtinës dhe Vitisë, para mbajtjes së zgjedhjeve në nivel qendror në parti./Indeksonline/