E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD:Rama të lejojë mjekët të ndihmojnë grevistët

Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Erla Mëhilli i ka kërkuar sot kreut të PS-së Edi Rama të lejojë urgjentisht autoritetet zyrtare shëndetësore të bëjnë kontrollin e gjëndjes shëndetësore të grevistëve.

"Në një akt të ri mizor, pasi ka mbyllur në burg në mes të bulevardit deputetë dhe militantë të partisë së tij, pasi ka mbyllur në burg nëna me fëmijë të vegjël Edi Rama nuk lejon autoritetet zyrtare shëndetsore të hyjnë në çadra dhe të asistojnë grevistët e urisë për shëndetin e tyre, ndërkohë që këtë proces ja ka besuar militantëve fanatik të Partisë Socialiste, të cilët fshehin sipas urdhërave të Ramës çdo problematikë shëndetësore të grevistëve" theksoi Mëhilli.

Sipas saj ky akt i shëmtuar dhe i paprecedent edhe në burgjet e diktaturave më të egra, dëshmon qartë edhe një herë se çfarë janë të aftë të bëjnë Edvin Kristaq Rama dhe Gramoz Ruçi dhe pinjollët e tjerë të bllokut me qëniet njerëzore.

"Në burgun e urisë, sipas lajmeve që vijnë nga çadrat ka edhe individë të sëmurë me diabet sheqeri, me sëmundje veshkash, me sëmundje të rënda deri në epilepsi apo ulcera stomaku, sëmundje të cilat në kushtet ku Rama i ka burgosur ata kërcënojnë rëndë jetën e tyre. Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës dhe Gramoz Rucit të lejojnë urgjentisht autoritetet zyrtare shëndetësore të bëjnë kontrollin e gjëndjes shëndetësore të grevistëve dhe ju rikujton atyre se këta njerëz janë viktimat e tij, por jo kavje që ai të mund ti trajtojë si placka personale" thekson Mëhilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›