PDSH:Miratimi i rregullores, akt antishqiptar
Partia Demokratike Shqiptare(PDSH) e vlerësoi si akt antishqiptar miratimin e rregullores së Parlamentit nga ana e deputetëve të BDI-së.
Nënkryetari i PDSH-së, Besim Dogani theksoi sot në një konferencë për media se BDI-në duke votuar rregulloren e re të Parlamentit ka shkelur mbi interesat kombëtare të shqiptareve.
"Ky veprim paraljmëron se periudha në vijim do të jetë plot poshtërim për shqiptarët dhe kërkesat tona. Ju kujtojmë se para më pak se një vit po për këtë rregullore ku përdorimi i gjuhës ishte shumë më i avancuar, BDI dorëzoi mbi 2500 amandamente për të penguar miratimin e saj. Deklaratat aktuale të zyrtarëve të BDI-së janë po ato të viteve 2002-2006 kur ata me të ardhur në pushtet harruan kërkesat e shqiptarëve", theksoi Dogani.
Ai paralajmëroi se partia e tyre në asnjë rast nuk do të pranojë këtë rregullore që siç thuhet është në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.
"Duke pasur parasysh se kjo Rregullore u miratua me procedure jo legjitime, pa consensus politik, duke pasur parasysh se kjo rregullore nuk lejon përdorimin e gjuhës shqipe, për PDSH-në kjo rregullore është jo legjitime", theksoi nënkryetari i PDSH-së, Besim Dogani.
Sipas tij, PDSH gjatë qeverisjes së saj kishte në prag të miratimit rregullore që avanconte më shumë përdorimin e gjuhës shqipe, por sipas tij ajo u bllokua nga BDI. Rregullorja e re e Parlamentit ndalon përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e kryetarëve të komisioneve parlamentare, që janë nga partitë shqiptare. Po ashtu ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe nëse seanca udhëhiqet nga nënkryetari shqiptar i Parlamentit.
Parlamenti i Maqedonisë miratoi dje me shumicë votash rregulloren e re të punës së Parlamentit duke u mbështetur edhe nga BDI-ja. (INA)