Kronika e mbrëmjes së maturës në Rrëshen
Muzikë, këngë, valle, duartrokitje të gjata, fjalime, stimuj moralë dhe financiarë, dedikime, etj, etj, etj. Bukur, deri këtu mjaft mirë për banorët spektatorë të qytetit të Rrëshenit për të cilët festa e maturës ishte një moment çlodhjeje e argëtimi në këtë buzëmbremje korriku. Veshje firmato, buzëqeshje perfekte, stilime mahnitëse, pasarela të përkryera me çdo gjë të bukur që të fal mosha 18-vjeçare e freskët e natyrale.
Prapë bukur e s`ka më bukur! Çdo gjë e organizuar perfekt deri në detaj nga mësuesit dhe drejtoria e shkollës për të cilët, kjo festë është kulmi i punës së bukur, por të lodhshme 4-vjeçare. Për syrin e një spektatori, nuk ka asgjë të keqe ky finalizim gjatë së cilit u evidentuan emrat e disa maturantëve të shkëlqyer, të cilët nderuan shkollën, qytetin, familjet e pse jo vetveten. Por ta shohim problemin pak më thellë, atë ç`ka realisht ndodh pas kësaj fasade.
47 maturantë mbetën në provimet e lirimit e po të kesh parasysh numrin e përgjithshëm të tyre, shifra është alarmante. Është për të ardhur keq që në fund justifikimet për këto rezultate, shumica e tyre i kërkon aty ku nuk duhet, duke u bërë bisht mospërgatitjes e mungesave të shumta në mësime. A do ishte më mirë, sikur këto përpjekje deri në detaj që ata bënë për veshjet e për këtë mbrëmje (e cila për hir të së vërtetës ishte tepër e bukur), të ishin bërë për t`u përgatitur për testimet përfundimtare?!
Kështu, a do ishte më mirë për ta dhe për ne, që shijuam këtë mbrëmje?!
Nejse... Koha do të kalojë dhe jam e sigurt që këtë festë s`do ta harrojnë, ashtu siç në vite do kuptojnë atë ç`ka humbën në këto 4 vjet: Mundësinë për t`u bërë dikush në jetë.