Shkurtohet afati për pasaportat e reja
Tiranë- Me pak kohë dhe më pak procedura për t’u pajisur me pasaportat e reja. Të sëmurët që kanë nevojë të dalin jashtë shtetit për ndihmë mjekësore dhe emigrantët janë më të favorizuarit nga policia për pajisjen me pasaportë.
“Strukturat e seksionit të Policimit në Komunitet, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë marrë udhëzimet përkatëse, për menaxhimin sa më mirë të prodhimit në kohë të pasaportave, duke përballuar aktualisht fluksin normal të kërkesave për pasaporta të qytetarëve”,- thanë burimet zyrtare të policisë.
Ato theksuan se masat janë marrë me qëllim për të përballuar në kohë nevojat e shtetasve shqiptarë. Policia e kryeqytetit është vënë në gatishmëri të plotë për të pajisur me pasaporta brenda një afati të shkurtër personat që kanë emergjencë shëndetësore si dhe emigrantët.
Pasi të kenë paraqitur dokumentet e nevojshme për të kryer aplikimin si dhe epikrizën, pacientët do të pajisen me pasaportë në më pak se tre ditë. “Ndërkohë, që lehtësira do të ketë edhe ndaj aplikantëve emigrantë shqiptarë të cilët vijnë në vendin e tyre me rastin e pushimeve verore, duke e prodhuar pasaportën me një afat të shpejtë prej pesë ditësh nga dita e aplikimit të parë, ndërsa për aplikime të dyta, prodhimi i pasaportës varion nga shtatë deri në dhjetë ditë nga dita e aplikimit”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së kryeqytetit.
Aktualisht, është organizuar puna për tejzgjatjen e orareve të sporteleve, për aplikimin e qytetarëve për pasaportë, po ashtu në një orar të tejzgjatur do të punojnë edhe sportelet e shpërndarjes së pasaportave, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë”,- deklaroi policia.
Të sëmurët
Për të sëmurët që duan të kurohen jashtë shtetit policia merr masa që t’i pajisë ata me pasaportë brenda një afati tre ditor, nga dita kur pacientët paraqesin dokumentacioni përkatës dhe epikrizën
Emigrantët
Për emigrantët policia ka krijuar lehtësira duke shkurtuar afatin prej 5 ditësh nga dita e aplikimit të parë, ndërsa për aplikime të dyta, prodhimi i pasaportës varion nga 7 deri në 10 ditë nga dita e aplikimit
Sasia
Policia ka prodhuar pasaportat për personat që kanë aplikuar më datë 14 korrik 2008, ndërsa vetëm ditën e premte janë prodhuar 250 pasaporta për qytetarët e Tiranës të cilët duhet të paraqiten për t’i tërhequr
Vonesat
Rreth 700 pasaporta kanë mbetur në sportelet e drejtorisë së Policisë së Tiranës pasi nuk janë tërhequr nga aplikuesit, ndaj dhe policia iu bën thirrje qytetarëve të paraqiten për t’i tërhequr ato