Topi shmang Berishën, takohet me Metën

Presidenti i Republikës takon Metën për krizën politike
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka hapur dje negociatat me partitë për krizën politike, por jo duke takuar Edi Ramën ose Sali Berishën, por kreun e LSI-së, Ilir Meta. Takimi ka nisur dje në orën 10 e 30 minuta të paradites. Zv.kryeministri Meta ka hyrë në presidencë i pa shoqëruar nga stafi i tij dhe ka qëndruar aty për rreth 30 minuta.
Në përfundim të takimit asnjë nga palët nuk ka komentuar atë që është diskutuar në zyrën e presidentit Topi. Meta ka shkuar në presidencë në pozicionin e përfaqësuesit të mazhorancës, por nuk dihet përse këtë rol nuk e ka pasur kryeministri Berisha, i cili dje ndodhej në Tiranë.
Ky i fundit është shprehur qartë disa herë se nuk ka për të lejuar përmbushjen e kërkesës së vetme të Partisë Socialiste, hapjen e kutive. Ndërkohë, zv.kryeministri Meta ka deklaruar se ka hapësirë të mjaftueshme për negociata mes dy palëve, por pa treguar se ku bazohej kjo deklaratë.
Rama dhe Berisha janë takuar edhe dy herë të tjera për këtë çështje, por asnjë nga takimet nuk pati rezultat. Socialistët kërkuan komision hetimor për zgjedhjet ku ata të kishin shumicën dhe kryetarin dhe objekti i komisionit të ishte hapja e kutive.
Pas takimit, mazhoranca e krijoi komisionin hetimor të zgjedhjeve, por nuk i dha opozitës shumicën e komisionit, nuk i dha opozitës kryetarin e komisionit dhe vendosi që të mos hapen kutitë.