E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE, Rouçek: Zhvillime pozitive, përmbyllni Kodin Zgjedhor

Reagimi vjen nga zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Libor Rouçek i grupimit socialistdemokrat, i cili ka pritur në një takim ministren shqiptare të Integrimit, Majlinda Bregu. Parlamenti Evropian shpreh vullnetin për të përfshirë në raportin e tetorit të gjitha arritjen e Shqipërisë që do të bëhen gjer më atëherë.

“Zhvillimet janë pozitive dhe mund të themi se janë bërë shumë progres. Por ne jemi ndalur gjerësisht tek reforma zgjedhore. Jo lidhur me detajet e zgjedhjeve, pasi kjo nuk është detyra jonë. Por ajo që është e rëndësishme për ne dhe që u themi forcave politike në Shqipëri është që kodi zgjedhor dhe procedurat të jenë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR. Pasi na pëlqen apo jo, Shqipëria nuk do të gjykohet për faktin se kush do fitojë apo kush do ti humbi zgjedhjet e 2013, por se sa do ti plotësojë vendi standardet gjatë zgjedhjeve në 2013”, ka deklaruar Roucek. Të njëjtat pikëpamjen ndajnë edhe eurodeputetja Doris Pack, si dhe kryetari i delegacionit për Ballkanin , Eduard Kukan i grupimit të djathtë në PE.

Edhe në takimin që ministrja Bregu ka patur me raportuesin për Shqipërinë, Nikolaos Chountis, është vënë në pah vullneti i Parlamentit Europian për të përfshirë në rezolutën për Shqipërinë të gjitha arritjet që Shqipëria mund të korrë deri në tetor.

Një ditë më parë, Bregu zhvilloi një takim me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, ku i dorëzoi planin e veprimit të Shqipërisë mbi arritjen e deri më tanishme nga vendi ynë. “Ministrja Bregu më siguroi që Shqipëria nuk do të humbë më kohë dhe do të çojë përpara masat e nevojshme për të shënuar progres të konsiderueshëm në të gjitha fushat. Këto arritje duhet të përfshijnë përmbylljen sa më të shpejtë të reformës zgjedhore dhe të rishikimit të Rregullores së Kuvendit, duke i hapur rrugën kështu progresit edhe në fusha të tjera. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë që ka kontributi i të gjithë aktorëve në realizimin e reformave, vazhdimi i bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, si dhe dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Komisioni është i gatshëm të japë mbështetje dhe orientime për këto përpjekje të rëndësishme të Shqipërisë, të cilat bëhen edhe më të rëndësishme në këtë kohë kur i gjithë rajoni po ecën përpara”, theksoi komisioneri Fyle gjatë takimit. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-03-30 17:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›