PD në Bruksel, bllokohet puna në Kuvend

Mungesa e kuorumit, si pasojë e deputetëve të PD-së në Bruksel, ka sjellë pamundësinë e mbledhjes së komisioneve
TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë "pushon" së ekzistuari. Prej gati një jave ai është kthyer në një institucion që thuajse nuk funksionon dhe ku e gjithë administrata e tij merret vetëm me aktivitetet e kryeparlamentares Jozefina Topalli, ndërsa aktiviteti i tij legjislativ është stopuar.
Në dy ditët e para të kësaj jave është mbledhur në një seancë krejt formale vetëm komisioni i Sigurisë Kombëtare, ndërsa të gjitha komisionet e tjera nuk kanë mundur të zhvillojnë mbledhje.
Kjo për shkak se numri i pakët i deputetëve ka bërë thuajse të pamundur zhvillimin e aktivitetit normal. Impenjimi i delegacionit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike prej 7 deputetësh në Bruksel, ka bërë që mazhoranca të humbasë numrat e duhur për të krijuar kuorumin në të gjitha komisionet, çka ka sjellë për pasojë edhe paralizimin e krejt aktivitetit të parlamentit.
Ditën e hënë, që njihet edhe si dita me aktivitet më të dendur parlamentar, Kuvendi nuk zhvilloi asnjë mbledhje komisioni. Shkaqet nuk u bënë të ditura, por arsyeja dukej qartë se ishte angazhimi i 7 deputetëve të djathtë në delegacionin ndërparlamentar për Stabilizim -Asociimin, ku natyrisht u diskutua edhe për krizën politike në Shqipëri.
Kështu, Komisioni i Ligjeve, i cili është edhe një nga komisionet kryesore nuk u mblodh për të dytën javë radhazi, kjo pasi javën e parë nuk ishte në Shqipëri kreu i tij, Ilir Rusmali, i cili përfaqësonte mazhorancën në një takim zyrtar në Parlamentin e Këshillit të Europës, ndërsa të hënën dhe të martën e kësaj jave ai nuk u mblodh, pasi nuk bënte dot shumicën e duhur për të zhvilluar mbledhje. Kjo, sepse tre deputetët, Aldo Bumçi, Viktor Gumi dhe Mesila Doda, ndodheshin në Bruksel.
Ndërsa Komisioni i Ekonomisë nuk mundi të mblidhej për shkak se njëri prej deputetëve Florian Mima ishte gjithashtu në delegacionin ndërparlamentar që në datat 3 dhe 4 ishin në Bruksel.
E njëjta situatë ka bllokuar edhe komisionet e Veprimtarisë Prodhuese dhe atë të Politikës së Jashtme, ku mungonin kryetarët respektivë të tyre, Jemin Gjana dhe Fatos Beja, të cilët gjithashtu ishin pjesë e delegacionit.
I njëjti fenomen duket se ka detyruar edhe komisionin e Punës dhe Shëndetësisë që të mos zhvillojë asnjë mbledhje këto dy ditë për shkak se deputetja Albana Vokshi ndodhej në Bruksel, duke bërë të pamundur arritjen e kuorumit të duhur prej 7 deputetësh.
I vetmi komision që zhvilloi një mbledhje dje ishte komisioni i Sigurisë Kombëtare, i cili mundi të thyejë "heshtjen" që kishte përfshirë këtë institucion që prej dy ditësh, pavarësisht se edhe ai u mblodh vetëm për të shqyrtuar një marrëveshje në mënyrë krejt formale me Turqinë.
Kohët e fundit, Kuvendi ka pasur jo pak vështirësi në zhvillimin e jetës së tij parlamentare në komisione dhe në seanca plenare. Situatën e rëndoi vendimi i para disa muajve i mazhorancës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit, duke rritur në mënyrë artificiale numrin e përfaqësuesve të saj nëpër komisione, me qëllim sigurimin e shumicës në raport me opozitën në vendimmarrje, por duke krijuar në të njëjtën kohë vështirësi në sigurimin e kuorumit të duhur për nisjen e mbledhjeve.