E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE i kërkon Serbisë të jetë më pragmatiste ndaj Kosovës

Parlamenti Evropian kërkon nga Serbia të mbajë qëndrim pragmatik ndaj statusit të Kosovës, megjithëse aktualisht duket si një mundësi e papranueshme për udhëheqjen serbe.
Kështu thuhet në projekt-rezolutën për të cilën është debatuar në Këshillin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian. Në projektrezolutë, e cila do të plotësohet me amendamentet shtesë nga debati dhe do të miratohet në fillim të qershorit, vihet në pah se Parlamenti Evropian është i shqetësuar lidhur me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, dhe theksohet se "marrëdhëniet e mira fqinjësore janë esenciale për aspiratat e Serbisë" dhe vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton REL.

Projektrezoluta është arsyetuar edhe me faktin që në fuqi është ende rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pavarësisht faktit që Kosovën e kanë njohur 22 vende të Bashkimit Evropian, ndërsa 5 kanë refuzuar të bëjnë një gjë të tillë.

Parlamenti Evropian do të duhej që në sesionin plenar të miratoj versionin përfundimtar të kësaj rezolute, me të cilën Serbia ftohet që të ndërpresë bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lidhur me kërkesën e paradokohshme të Prishtinës për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Projektrezoluta trajton edhe problemet që dalin nga "mungesa e ligjshmërisë dhe krimi i organizuar në veri të Kosovës". Dokumenti përshëndet "përparimin e vlefshëm" të EULEX-it në sektorin e policisë dhe doganave, ndonëse thuhet se "ky mision (EULEX) duhet të shpejtojë veprimin e vet, që përfundimisht të dalë me rezultatet të prekshme në luftën kundër korrupsionit në nivelin e lartë, goditjen e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës".

Në këtë kontekst thuhet, se viti 2010 duhet të jetë vendimtar për përparimet në reformat kyçe, siç janë lufta kundër korrupsionit, decentralizimi dhe reforma e administratës shtetërore. Projektrezoluta në fund kërkon nga Komisioni Evropian që sa më parë të nisë dialogun me Prishtinën për heqjen e vizave të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›