E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti shkarkon prokurorin e Durrësit

Drini Pali, dyshohej se kishte kryer shkelje të ndryshme gjatë kohës së kryerjes së detyrës së tij


TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me propozim të kryeprokurores Ina Rama, firmosi dekretin e shkarkimit nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Durrësit, Drini Pali.


Lajmi konfirmohet nga faqja zyrtare e internetit të institucionit të Presidencës, ku sqarohet se Topi firmosi dekretin me nr. 6573. "Në mbështetje të neneve 149 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të neneve 27, pika 3, 32 germa "d", 33 pika 1 germa "ç" si dhe pika 3 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm, me motivacionin "për shkelje që diskreditojnë rëndë figurën e prokurorit, dekretoi shkarkimin nga detyra të prokurorit Drini Pali, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës"-thuhet në dekret.


Ndërkohë, mësohet se shkaku i këtij shkarkimi nga detyra, ka ardhur nga kontrolli i kryer në Durrës nga Drejtoria e Inspektimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kanë konstatuar shkelje të rënda procedurale të kryera nga prokurori Pali gjatë ushtrimit të detyrës.


Ky raport kontrolli, u shqyrtuar në prill të këtij viti nga anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshëm, të cilët pasi i bënë "gjyqin" prokurorit Pali i propozuan prokurores Ina Rama shkarkimin e saj nga detyra. Shkeljet, sipas këshillit, janë konstatuar në vendimet e pushimit të çështjeve, mos fillimit dhe afateve procedurale.


Gjithashtu, pak ditë më parë po mbi bazën e këtij kontrolli i inspektorëve të Prokurorisë së Përgjithshëm, anëtarët e këshillit i kanë propozuar kryeprokurores Rama shkarkimin nga detyra edhe të prokurorit Driton Gripshi, ndërsa masa disiplinore për prokurorët Dritan Gina, Ilir Turja dhe Eduart Karriqi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›